Kryetari i Komunës së Podujevës z. Agim Veliu priti në takim Zëvendësministren e Punës dhe Mirëqenies Sociale znj. Rita Hajzeraj – Beqaj me të cilën finalizuan marrëveshjen e bashkëpunimit për punësim sezonal të punëkërkuesve në institucionet publike.
Në takimin e kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu, me zëvendësministren e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Rita Hajzeraj – Beqaj, u diskutua për rëndësinë e projekteve të përbashkëta, të cilat po ndërmerren në kuadër të bashkëpunimit mes këtyre dy institucioneve.
Me këtë rast Veliu dhe Zëvendësministrja Hajzeraj nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me të cilën parashihet punësimi sezonal i 30 punëkërkuesve në institucionet publike.
“Nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla nga Komuna jonë është i rëndësisë së veçantë, për faktin se mundëson punësimin e qytetarëve tanë, kur dihet se problemi kryesor me të cilin përballemi është papunësia”, tha Veliu
Zëvendësministrja e MPMS, Rita Hajzeraj – Beqaj shprehu gatishmërinë e kësaj ministrie për realizim të projekteve të ndryshme, të cilat mundësojnë punësimin e punëkërkuesve të regjistruar në Zyrën e Punësimit.
Duke iu referuar marrëveshjes së nënshkruar sot zv-ministrja Hajzeraj – Beqaj tha se ajo parasheh punësim sezonal të 30 punëkërkuesve në institucionet publike.
Në takim ishin prezent edhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z.Avni Fetahu dhe përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.