Komuna e Podujevës është zgjedhur komuna e cila më 15 tetor 2015 do të nënshkruaj Konventën e Kryetarëve të Komunave në Bruksel. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal, ku mori edhe miratimin e të gjithë asambleistëve për shkuarje në Bruksel.
Rasim Fejza, shef i Shërbimeve Publike në Komunën e Podujevës, ka treguar për Llapi.info se Podujeva së bashku me dy komuna tjera, Prishtinën dhe Gjilanin, janë zgjedhur komunat që do të nënshkruajnë Konventën e Kryetarëve të Komunave në Bruksel.
Sipas Fejzës, përzgjedhja është bërë në mesin e të gjitha komunave të cilat kanë konkurruar për efiçiencë në energji.
“Hartimi i Planit Qendror për Efiçiencë të Energjisë (SEAP) është në fazën përfundimtare. Komuna në këtë plan jep të gjitha të dhënat që kërkohen për objeketet publike, ndriçim publik dhe transport. Pas hartimit të këtij plani, Komuna e Podujevës ka të drejtë të bëhet anëtare e Konventës së Kryetarëve të Komunave në Bruksel”, ka thënë Fejza për Llapi.info.
Ai ka treguar se pas hartimit, plani dorëzohet në Bruksel dhe vetëm një nga tri komunat ka mundësin të bëhet anëtare e kësaj konvente.
“Nëse zgjedhet Podujeva në mesin e tri komunave, do të jetë obligative që deri në vitin 2020 të plotësoj kriterin për zvogëlim të CO2-shit 20 për qind. Plotësimi i kritereve që nevoiten do të bëjë që Podujeva të përfitoj donacione për energji dhe transport”, ka thënë Fejza duke qenë optimist se Komuna e Podujevës do të jetë ajo e cila do të bëhet anëtare e kësaj konvete.
Fejza ka treguar se ky projekt financohet nga GIZ-i./Llapi.info