Sot në 24 vjetorin e çlirimit të Komunës së Podujevës u mbajt seanca solemne në kuvendin komunal, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetarja Marigona Lahu, kryesuesi i Kuvendit Hilmi Hoxha, drejtorë dhe asamblistë komunal, komandantë të ZOLL-it, përfaqësues të shoqatave të luftës, familje të dëshmorëve, deputetët Fitim Haziri dhe Isak Shabani si dhe mysafirë të ndryshëm.

Në seancen solemne fjalë rasti mbajtën kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, kryesuesi i Kuvendit Hilmi Hoxha dhe përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta Idriz Shabani.

Kryetari Bulliqi në fjalën para të pranishmëve tha “Në këtë ditë historike ne kujtojmë rezistencën e popullit tonë, sakrificën, qëndrueshëmërinë dhe vendosshmërinë e palëkundur për çlirimin e vendit, kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për liri, ushtarët trima, veprimtarët të cilët ngritën zërin e tyre kundër tiranisë, familjet të cilët dhanë më të dashurit e tyre, martirët dhe gjithë të rënët për këtë ditë të shenjtë”.

Kryesuesi Hoxha në fjalën e tij lartësoi figurat kombëtare që kanë sakrifikuar e kanë kontribuar për lirinë e Kosovës, me theks të veçantë dëshmorët dhe martirët duke i cilësuar si më meritorët për lirinë që ne e gëzojmë sot.
Përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta Idriz Shabani foli për sakrificën e shumë brezave dhe trimërinë e luftëtarëve të lirisë, ku i kthyen armën armikut në kushte krejtësisht të pabarabarta, por me mision të qartë për të mbrojtur tokat e atdheut misionarët e lirisë sakrifikuan jetën e tyre.

Pas seances u bënë homazhe tek shtatorja e dëshmorit Ali Ajeti, shtatoret e “Katër Dëshmorëve” në sheshin e qytetit dhe tek “Kompleksi Memorial i Dëshmorëve” në Penuhë, duke i nderuar ata dëshmorët e lirisë që me gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës u bënë pjesë e historisë më të lavdishme të Kosovës.