Stuhitë e forta kanë përfshirë pjesë të Gjermanisë, duke shkaktuar përmbytje e dëme materiale.

Trafiku hekurudhor është prekur ndjeshëm në mbarë vendin, shumë rrugë janë mbyllur. Paralajmërimet e motit të ashpër vlejnë për shumicën e shteteve federale.

Në pjesë të mëdha të Gjermanisë ka kushte të rënda moti pas vapës së javëve të fundit.

Çatitë e çara, pemët e rrëzuara, bodrumet e përmbytura dhe dëmtimi i ndërtesave nga breshri tashmë janë raportuar nga Gjermania qendrore, jugore dhe jugperëndimore.

Disa rrugë janë mbyllur.

Shërbimi gjerman i motit (DWD) kishte njoftuar për reshje të dendura shiu, breshër dhe erëra. Në disa vende, stuhitë mund të shkaktojnë shi të dendur deri në 40 litra për metër katror brenda një kohe të shkurtër, shkruan Meteo Ballkan.

Erëra të fuqishme nga 80 deri në 120 km/h janë paralajmëruar gjithashtu.

Qyteti Kassel në veçanti u godit rëndë: shkollat janë mbyllur e trafiku pësoi kolaps. Edhe në Frankfurt, gjendja ishte e rënduar.

Pas stuhisë së fortë gjatë ditës së djeshme, sot ka ende dëmtime të konsiderueshme në trafikun lokal dhe atë të distancave të gjata.

Të premten në mëngjes priten ende reshje të dendura shiu dhe erëra, veçanërisht në veri dhe perëndim të Hessen.

Vetëm në Frankfurt për një orë u kryen 45 operacione të zjarrfikësve.

Si pasojë e stuhisë, pemë të shumta kanë rënë mbi shtëpi dhe makina mbrëmjen e së enjtes, sipas zjarrfikësve. Janë dëmtuar edhe shumë çati.

Shkalla e plotë e dëmit fillimisht ishte e paqartë. Policia nuk ka raportuar për lëndime të mundshme deri në mbrëmje.