Asfaltimi i rrugës në tri lagje të fshatit Shtedim ka lënë të pakënaqur një banor të këtij fshati. Ai po pretendon se Komuna e Podujevës me arsyetimin për mungesë të mjeteve buxhetore ka shkurtuar gjerësinë e rrugës në 3 metra, ndërsa projekti sipas tij parashihte gjerësinë e rrugës në 4.5 metra.
“Rruga ne Shtedim, projekti ka qenë për 4.5 metra asfallt, mirëpo pas 2 vite filluan shtrimin e asfalltit dhe atë vetëm 3 metra. Baza e projektit është përafërsisht 6 metra. 1.5 metër nuk është shtru me arsyetimin që s’ka buxhet”, ka thënë banori për Llapi.info.
Ai ka treguar se bëhet fjalë për asfaltimin e rrugës që përfshinë lagjet ku jetojnë familjet Beshiri, Vuça dhe Fetahu.
Se gjerësia e rrugës është shkurtuar për mungesë të mjeteve buxhetore ka thënë edhe Durim Salihu, drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, vetëm se ky ka thënë që projekti që kanë dorëzuar banorët ka qenë për 4 metra gjerësi dhe jo 4.5 metra siç ka pretenduar banori.
“Ato janë rrugë qorre (rrugë që shkojnë deri te ato shtëpia dhe nuk ka lëvizje më tej). Së pari mungesa e mjeteve buxhetore dhe e dyta çështja pronësore. Ekipet kanë dalur në terren dhe kanë parë që diku ka pasur mundësi nja 20 – 30 metra të shtrohet 4 metra, se 4.5 nuk ka pas projekt”, ka thënë Salihu.
Ai ka treguar se për këto lagje ka pasur projekte të ndara. Një projekt i ka përfshirë lagjet Beshiri dhe Fetahu dhe një projekt tjetër lagjën Vuça.
“Lagjia Vuça e ka bërë projektin për 4 metra. Veç rruga është 4 metra dhe nuk mund të bëhet 4 metra asfalt, sepse nga 50cm janë bankinat në të dy anët. Kështu që kojshia përballë që ka qenë ka thënë që nuk guxoni me qit as një guri dhe është dasht me ba 3metra, se nuk munesh kur është rruga 4 metra me ba asfalt 4 metra”, ka shtuar Salihu.
Ai ka treguar se 240 metra nga hymja e fshatit deri në kryqëzim të lagjeve Fetahu dhe Beshiri e kanë asfaltuar 4 metra gjerësi. Ndërsa, nga kryqëzimi e tej janë asfaltuar nga 3 metra gjerësi për lagjet Fetahu dhe Beshiri./Llapi.info