Podujeva të hënën u trondit nga vrasja e rëndë që ndodhi në pikë të ditës, në rrugën “Zahir Pajaziti”, ku si pasojë e të shtënave me armë, një person mbeti i vrarë, teka gruaja e tij u plagos. Viktima Valmir Breznica u qëllua me armë zjarri, për motive akoma të panjohura. Policia në koordinim me Prokurorinë kanë nisur hetimet, ndërkohë që tashmë është arrestuar një person që dyshohet se është i përfshirë në rast, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali raportoi sot se personi që u arrestua nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje” është Arsim Syla, 48-vjeçar, në shtëpinë e të cilit Policia ka kryer bastisje.
Me rastin e kontrollit nga ana e njësive policore, në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Gllamnik, Policia ka gjetur dhe sekuestruar dy armë me municion (rreth 80 fishekë), si dhe automjetin e të dyshuarit, me të cilin u zbulua se ka lëvizur para vrasjes.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari Arsim Syla, ka qenë bashkë me dorasin pak para se të ndodhte krimi, duke e planifikuar vrasjen e 34-vjeçarit, i cili mbeti i vdekur në vend nga të shtënat me armë zjarri.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për të zbardhur rrethanat e rastit tragjik.