Sindikata e Policisë së Kosovës dënon sulmet ndaj policisë dhe shpreh ngushëllime për vrasjen e policit, sot në veri.

Sindikata e Policisë thekson se policia “është duke vepruar sipas autorizimeve ligjore dhe Kushtetuese në mbrojtje të integritetit të Republikës së Kosovës”.

Sulmin ndaj policisë, sindikata e ka quajtur “terrorist”.

Reagimi i plotë:

Në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, nga grupe kriminale e terroriste të organizuara , në Veri të vendit, është sulmuar Policia e Kosovës, me ç’rast ka mbetur i vrarë Rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe është plagosur zyrtari policor, Alban Rashiti.

Sindikata e Policisë së Kosovës i shpreh ngushllime familjes së ngushtë, miqëve dhe të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, kurse policit të lënduar i urojmë shërim të shpejtë.

Sindikata e Policisë së Kosovës është duke përcjellur nga afër zhvillimet e ditës së sotme dhe dënon ashpër sulmet terroriste që po i bëjnë grupet kriminale ndaj shtetit tonë.

Policia e Kosovës është duke vepruar sipas autorizimeve ligjore dhe Kushtetuese në mbrojtje të integritetit të Republikës së Kosovës.