Autoritetet e sigurisë në Kosovë e kanë akuzuar nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiqin, për organizim dhe pjesëmarrje në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Gjatë një konference për media, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se autoritetet kanë gjetur harta dhe plane për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri më 24 shtator. Ai argumentoi se sulmi nuk ishte ad-hoc, por ishte planifikuar për muaj të tërë.

Ai tha se në bazë të dokumenteve që kanë gjetur Radoiçiq, është i lidhur me sulmin.

“Në këto materiale, po ashtu kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit që, po ashtu, është në listën e zezë të SHBA-së, Milan Radoiçiq, dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion. Kjo është lista e armëve apo lejeve të institucioneve të Serbisë dhënë Milan Radoiçiqit ku është edhe lista me armët që ai posedon, me numra, me të gjitha që janë gjetur në veturën e parë në radhë atje dhe patjetër që dokumenti origjinal është në dorën e forenzikës”, tha Sveçla gjatë konferencës për media në kampin e njësive speciale policore në Mitrovicë të Jugut, ku policia ekspozoi armët dhe pajisjet që ka gjetur në vendin e ngjarjes.

Sipas tij, në bazë të armëve që kanë gjetur, besohet se ka pasur plan që në sulm të përfshiheshin “qindra persona për destabilizimin e vendit tonë”.

Sveçla tha se, sipas informatave të deritashme, “gjashtë terroristë po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit [qytet në Serbi]”, ndërsa i bëri thirrje Serbisë që t’ia dorëzojë Kosovës. Ai tha se përveç tyre, edhe pjesëtarë të tjerë të grupit që mund të kenë ikur për në Serbi, duhet t’i dorëzohen Kosovës që të përballen me drejtësinë.

Ministri Sveçla tha se në bazë të informatave, disa nga pjesëtarët e grupit që sulmuan policinë ishin pjesëtarë të “Brigadës së Veriut” dhe “Mbrojtjes Civile”, që Kosova i ka shpallur si organizata terroriste më herët gjatë vitit.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në një makinë Mercedes, me targa të Beogradit, është gjetur një leje për armë në emër të Radoiçiqit.

“Dokumenti është i lëshuar nga autoritete serbe, duke ngritur dyshimin e fuqishëm që në mesin e personave të armatosur dhe uniformuar edhe vetë Milan Radoiçiq”, tha Hoxha.

“Ky grup terrorist dyshohet se është organizuar nga Milan Radoiçiq, njeri i afërt me presidentin [e Serbisë] Aleksandar Vuçiq. Grupi terrorist në sigurimin e armëve dhe mjeteve logjistike, përfshirë edhe hyrjen në Kosovë me mbi 26 mjete motorike dyshohet të jetë përkrahur dhe mbështetur në mënyrë aktive nga Qeveria e Serbisë”, theksoi ai.

Hoxha tha se operacioni për gjetjen e personave të përfshirë në sulmin ndaj Policisë – që dyshohet të jenë rreth 30 të tillë – duke mos e përjashtuar mundësinë që ata të jenë ende në territorin e Kosovës.

Radoiçiq është nënkryetar i Listës Serbe, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”.

Ai kërkohet nga Kosova nën dyshimet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor, të njohur si “Brezovica”.

Radoiçiq përmendet në një aktakuzë edhe si “udhëheqës i grupit kriminal”, i cili planifikoi vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Megjithatë, urdhërarresti për Milan Radoiçiqin u tërhoq në mars të vitit 2021 pa asnjë shpjegim.

Drejtori Hoxha tha se në dhe përreth manastirit në Banjskë janë gjetur armatim i kalibrave të ndryshëm, raketahedhës, eksplozivë, detonatorë emblema të ndryshme, dronë, letra ngjitëse me shenjën e KFOR-it, uniforma – disa prej të cilave me emblema të ushtrisë italiane – tabela veturash me akronime të qyteteve të ndryshme të Serbisë, granatahedhës dore (zolla), shumica e të cilave janë të prodhuara në vitin 2021.

Hoxha tha se disa prej këtyre armëve ishin përdorur edhe në sulmet në të kaluarën, siç tha ai, nga “Mbrojtja Civile”.

Drejtori i Policisë së Kosovës tha se kanë gjetur pesë dokumente që u përkisnin anëtarëve të dyshuar të “Mbrojtjes Civile”.

Autoritetet e sigurisë thanë se grupi ishte profesional dhe i përgatitur mirë. Përveç armëve, drejtuesit e policisë thanë se kanë konfiskuar 24 automjete, një mjet të blinduar dhe dy motor me katër rrota.