Kadri Kastrati, gjeneral në pension i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka thënë se synimi i serbëve me sulmin terrorist në veri ishte aneksimi i Kosovës.

Ai thotë se skenari ishte i tillë që të fillojë me atë pjesë e më pas forcat paraushtarake të vendosen deri në veri të Mitrovicës.

“Në bazë të informacioneve nuk bëhet fjalë për 50 apo 100 terroristë të trajnuar për atë veprim. Këtu bëhet fjalë për përfshirjen e komplet Brigadës veriore. Kjo brigadë ka prej 1,800 deri 2,000 veta. Këta njerëz kanë qenë brenda territorit të Kosovës të ushtruar dhe trajnuar brenda kazermave të Rashkës. Këta njerëz e kanë pritur një “Prigozhin”. Radoiçiqi ka pretenduar të merr atë detyrë për ta “çliruar” atë pjesë të Kosovës dhe ta merr lavdinë”, tha ai në RTV Dukagjini.

Kastrati thotë se nuk bëhet fjalë për tre serbë të vrarë në aksion.

“Nga burime shumë të sigurta, nuk bëhet fjalë për tre serbë të vrarë. Numri është shumë më i madh. Jo më pak se tetë – dhjetë terrorist të atij grupi janë të vrarë, mirëpo Serbia ka dashur të fshehë të gjithë ata serbë që janë vrarë e që kanë shërbyer në forcat e armatosura të Serbisë, apo serb nga Bosnja apo edhe mercenarë nga Rusia. Këta janë fshehur e të deklaruar ta vrarë janë vetëm këta serbë nga Kosova”, ka deklaruar tutje Kastrati.

Ish-komandanti i FSK-së thotë se në ditën kritike, Vuçiq kishte paralajmëruar konferencë në ora 14 që më pas e kishte shtyrë vazhdimisht deri në mbrëmje, derisa ishte siguruar se serbët e vrarë që janë shtetas të Serbisë janë tërhequr nga territori i Kosovës.