Projekti “Themelimi i tregut mobil të fermerëve në Prishtinë”, i përkrahur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i implementuar nga Komuna e Prishtinës fton të gjithë fermerët e Rajonit Ekonomik Qendër që përfshin komunat si: Prishtinën, Podujevën, Graçanicën, Lipjanin, Shtimen, Drenasin, Obiliqin dhe Fushë Kosovën, të marrin pjesë në tregun mobil të fermerëve në Prishtinë.
Ky projekt ka për qëllim të përmirësojë kushtet për zhvillim ekonomik, për fermerët vendor të këtij rajoni me synim rritjen e qasjes së tyre në treg, stimulimin e zëvendësimit të importit, përmirësimin e furnzimit/ ofertës me produkte bujqësore vendore dhe promovimin e tyre, si dhe rivitalizimin e ekonomisë rurale në rajonin qendër.
Përfitues do të jenë fermerë apo biznese (individë apo dhe subjekte juridike), shtetas të Kosovës, që janë të regjistruar në Regjistrin e Fermerëve, të cilët veprojnë dhe afarojnë, në Rajonin Ekonomik Qendër.
Ndërsa sektorët dhe nënsektorët që do të përkrahen janë:
Projekti për themelimin e tregjeve mobile të fermerëve në Prishtinë, i cili ka në fokus përkrahjen dhe zhvillimin e sektorit të bujqesisë në Rajonin Ekonomik Qendër do të përkrahë respektivisht fermerët që merren me:
Kultivimin e frutave,
Kultivimin e perimeve,
Përpunimin e fruta-perimeve,
Kultivimin e drithit (grurë, misër, elb, tërshërë etj.),
Shpeztari, respektivisht kultivimin e pulave vojse,
Bletari,
Blegtori, specifikisht prodhimi i qumështit dhe nënprodukteve të tij,
Lule, herba dhe bimë mjekuese si dhe çajra natyrale,
Ushqimi i freskët, tekstil dhe suvenire.
Kriteret për aplikim:
Kriteret e përgjithshme për kualifikimin e fermerëve për pjesëmarrje në këtë projekt, gjegjësisht në tregjet mobile në Prishtinë janë:
1.Të jenë shtetas të Republikës së Kosovës;
2.Të jenë të regjistruar në regjistrin e fermerëve;
3.Të kenë të mbjellë së paku 0.20 ha sipërfaqe toke të mbjellë në fushë të hapur dhe ose së paku 2.4 ari tokë të mbjellë në serra;
4.Të kenë së paku 50 litra qumësht në ditë. Kafshët duhet të jenë të matrikuluara me matrikul të Republikës së Kosovës ose me matrikul të vendeve anëtare të BE-së;
5.Të kenë minimum 10 shoqëri bletësh (koshere). Kosheret duhet të jenë të shënjuara me numër identifikues të pronës, sipas një rregullimi të brendshëm nga MBPZHR-ja;
6.Të kenë minimum 2,000 krerë pula vojse ose të kenë prodhim të së paku 2000 vezëve në ditë. 7.Dokumentacioni duhet të shoqërohet me një certifikatë të marrë nga veterineri;
8.Lulishtet apo kultivuesit e herbave dhe bimëve mjekuese që kanë kapacitete prodhuese për qëllime komerciale, të cilat duhet të dëshmohen me referencë;
9.Të kenë së paku 5000 kg prodhim të fruta perimeve të përpunuara dhe certifikatat e AUVK-së dhe Institutit të Shëndetsisë dhe Higjenës së Kosovës;
10.Plane për zgjerim të aktivitetit agrar.
Dokumentet e nevojshme për aplikim janë:
1.Aplikacioni i plotësuar
2.Kopja e letërnjoftimit të Republikës së Kosovës
3.Kopjen e certifikatës së regjistrimit të biznesit për personat juridik;
4.Kopjen e certifikatës së regjistrimit në Regjistrin e Fermerëve.
5.Çertifikatat e kërkuara sipas pikës nr. 5 të kësaj thirrje
Aplikimi zgjat 15 ditë kalendarike dhe fillon prej momentit të shpalljes publike, nga data 19 tetor 2015 deri më 06 nëntor 2015, ora 16:00.
Aplikimi bëhet në zyrat e Drejtorive Komunale për Bujqësi, për secilën komunë.
Sqarim: Të dhënat e kërkuara mund të verifikohen në çdo kohë./Llapi.info