Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë pas humbjes nga Malisheva të shtunën se Llapi mori gol naiv që ka mundur të shmangej shumë lehtë.

“Nuk shënuam në fillim dhe humbëm për tre minuta raste të qind për qindta. Pranuam gol naiv që nuk duhet të pranohet në atë lloj forme. Bëmë maksimumin në pjesën e dytë, rrezikuam shumë. Portieri Avdyli pati paraqitje fantastike. Po të ishim më të vëmendshëm do të mund edhe të fitonim pasi kishim raste të sigurta me Trimëror Selimin e Ahmed Januzin”, ka deklaruar ai.

Tutje, i pari i Llapit ka shtuar se kjo nuk ishte dita e skuadrës që ia drejton.

“Kjo humbje është e dhimbshme për Llapin sepse këto tri pikë kanë vlerë për renditjen në tabelë. Nuk është dashur të na ndodh pas dy fitoreve rresht. Ndoshta edhe mungesa e Valmir Veliut e bëri të veten pasi nuk u mbulua mirë krahu i tij. Asgjë nuk ka përfunduar, nuk duhet gjykuar me një ndeshje. Djemtë bënë maksimumin, por ndoshta edhe fati nuk ishte në anën tonë. Kemi ndeshje për Kupë e më pas do të mendojmë për kampionat, të jemi sa më lartë në tabelë. Kjo pozitë të dërgon në Evropë dhe kur e ke Evropën në xhep, luan edhe më i qetë në Kupë”, ka thënë Batatina për “ArtMotion” pas ndeshjes.

Me këtë humbje, Llapi aktualisht e gjen vetën në pozitën e dytë me 28 pikë të tubuara, kurse Malisheva ka 23 sosh dhe pozicionohet në vendin e katërt.

Në xhiron tjetër, Llapi do të ketë punë me liderin, Ballkanin, e në anën tjetër, Malisheva pret Lirinë e Prizrenit.