Ministria e Mbrojtjes e Kosovës bëri të ditur se ka bërë kërkesë për blerjen edhe të armëve të tjera, përveç 246 raketave kundërtanke të tipit “Javelin” që janë kërkuar të blihen nga SHBA-ja.

Por, këshilltarja politike e ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Liridona Gashi, tha se nuk mund ta zbulojë se çfarë lloj armatimi tjetër po kërkohet nga Kosova “për shkak se kjo përbën informacion të klasifikuar”.

Ajo sqaroi se kërkesa për të blerë raketat ‘Javelin’ është bërë sipas një plani paraprak për t’i përmbushur nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe nuk është shkaktuar nga incidentet në veri të Kosovës, edhe pse shtoi se “sulmi terrorist në Banjskë, si dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia janë një shqetësim”.

“Furnizimi me armë do të thotë investim në përmbushjen e misionit kushtetues të FSK-së, në mbrojtjen e territorit të Kosovës dhe në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët tanë”, tha Gashi, duke përsëritur qëndrimin e dhënë nga Uashingtoni zyrtar se “stabiliteti në Evropë do të rritet”.

Kosova akuzoi Serbinë për sulmin në Banjskë të Zveçanit, në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, më 24 shtator të vitit të kaluar, kur u vra një polic. Beogradi i mohoi këto akuza.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit.

Bashkësia ndërkombëtare e dënoi ashpër sulmin në Banjskë dhe kërkoi që autorët të vihen para drejtësisë. Në ditët pas sulmit, Policia e Kosovës gjeti një arsenal armësh dhe pajisje të tjera të lëna pas nga një grup i armatosur serb.

Pse po armatoset Kosova?

Rashit Qalaj, anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, nga Partia opozitare Demokratike e Kosovës, vlerëson se Kosova është e detyruar të jetë më e përgatitur në aspektin e pajisjeve dhe armatimit pas sulmit në Banjskë dhe kërcënimeve të shpeshta nga Serbia për të ngritur gatishmërinë luftarake rreth kufijve me Kosovën.

Mendim të ngjashëm ndajnë edhe ekspertët nga agjencia e inteligjencës së mbrojtjes, Janes, me seli në Croydon të Britanisë së Madhe.

“Serbia ka ndjekur një linjë militante kohët e fundit dhe posaçërisht Kosovës i është dashur të përballet me destabilitetin në veriun e dominuar nga serbët, për të cilin ata fajësojnë qeverinë serbe”, thonë nga kjo agjenci për REL-in.

Ata, gjithashtu, shtojnë se pushtimi i Ukrainës nga Rusia shihet si “paralajmërim i asaj se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen meqë Serbia e ka rreshtuar veten përkrah Rusisë”.

Këtë argument e përsërit edhe Qalaj, i cili thotë se edhe vendet e Evropës perëndimore kanë nisur përforcimin e ushtrive pas nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

“Kosova, gjithashtu, duhet të rrisë kapacitetet e saj, si në personel, ashtu edhe në aspektin e prokurimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake”, thotë Qalaj.

Ai shtoi se Kosova duhet të zhvillohet edhe nga aspekti profesional në mënyrë që të përgatitet për përdorimin e pajisjeve të ndryshme luftarake.

Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 12 janar njoftoi se vendi “po hyn në një fazë të re dhe vendimtare të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të shtetit”, që përfshin zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s.

Ajo shprehu bindjen e saj se Kongresi Amerikan do ta mbështesë shitjen e sistemit “Javelin” për Kosovën për ta “rritur sigurinë në Kosovë, në rajon dhe në Evropë”.

Më 11 janar, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, njoftoi Kongresin për shitjen e propozuar të armëve në Kosovë si pjesë e programit të SHBA-së për shitje ushtarake të huaja. Përmes këtij programi të ushtrisë amerikane, Qeveria amerikane dhe një qeveri e huaj mund të arrijnë marrëveshje ndërqeveritare për të ofruar ndihmë të sigurisë.

Kërkesa e Kosovës përfshin blerjen e 246 raketave “Javelin” FGM-148F dhe pajisjeve përcjellëse, njoftoi Agjencia Amerikane për Bashkëpunim në Mbrojtje dhe Siguri.

Sipas Aktit të Kontrollit të Eksportit të Armëve, Kongresi në këtë rast ka 30 ditë për shqyrtimin e kërkesës, por nuk nevojitet miratimi. Kjo periudhë nevojitet përpara lëshimit të letrës për aprovim të shitjes.

Pazari ishte planifikuar para sulmit në Banjskë

Presidentja Osmani ka thënë se lidhur me programin e shitjeve të huaja ushtarake kishte biseduar me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, qysh në korrik të vitit 2022.

Se kjo blerje ka qenë pjesë e një plani të përgatitur edhe para sulmit në Banjskë, e ka konfirmoi edhe Liridona Gashi nga Ministria e Mbrojtjes, sipas nevojave të FSK-së dhe planeve për transformimin e saj.

Procesi i transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës ka nisur në dhjetor të vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore, për të ndryshuar mandatin e FSK-së. Ky proces është planifikuar të zgjasë dhjetë vjet – deri në vitin 2028.

Forca e Sigurisë e Kosovës aktualisht ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në më shumë se 7.500 dhe do të përfshijë anëtarë aktivë dhe rezervë.

Parada e Forcës së Sigurisë së Kosovë në sheshin kryesor të Prishtinës me rastin e 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë.

Më parë, Agjencia Amerikane për Bashkëpunim për Sigurinë e Mbrojtjes njoftoi më 11 janar se kjo shitje e armëve “do të përmirësojë aftësitë mbrojtëse të Kosovës, në terma afatgjatë, për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial dhe që t’i përmbushë kërkesat e saj të mbrojtjes kombëtare”.

Çfarë thonë nga Serbia?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi lajmin për raketat “Javelin” “zhgënjim i madh, por shtoi se Serbia dhe SHBA-ja do të punojnë për ruajtjen e marrëdhënieve serbo-amerikane”.

“Për ne është me rëndësi të madhe që paqja në rajon të mos prishet dhe se Serbia do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe të kontribuojë për stabilitetin në Ballkan”, tha ai.

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, i tha portalit beogradas Kurir se Serbia nuk mund ta ndryshojë politikën e SHBA-së, por se mund ta forcojë aftësinë e vet mbrojtëse dhe se do të ketë një “përgjigje adekuate”. /rel/