Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka mbajtur sot një konferencë për medie, pas mbledhjes së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, raporton Llapi.info.

I pari i Podujevës, duke e cilësuar këtë si prej rasteve më të rënda në Podujevë, ka thënë se njëri prej të dyshuarve për vrasjen e të riut – ka 9 vepra penale.

Bulliqi ka deklaruar se organet e rendit janë duke e trajtuar vrasjen e 18 vjecarit, ndërkohë që ka shtuar se kanë marrë masa sigurie me policë civilë nëpër shkollat e kësaj komune.

Në këtë konferencë, Bulliqi ka premtuar se familjes së viktimës do t’i dilet në ndihmë humanitare.

“Unë më herët isha në një vizitë për ngushëllime te familja e viktimës dhe sigurisht që brenda kompetencave të mia, si kryetar i komunës, shpejtë do të marrë një vendim për t’i dalë në ndihmë kësaj familje. Besoj që do të informoheni me kohë”, tha Bulliqi.

Lulzim Fejzullahu fillimisht u godit me veturë e më pas u rrah brutalisht. Ai u dërgua në spital, ku vdiq pas disa ditësh. Të dyshuar për rastin janë dy të mitur, tashmë të arrestuar./Llapi.info