“Komercijalna Banka AD Beograd” – Dega në Mitrovicë, ka përfunduar vullnetarisht veprimtarinë bankare të shërbimit me klientë, ka njoftuar BQK-ja.
Në njoftim thuhet se ky veprim rezulton nga dialogu mbikëqyrës në periudhën gusht-shtator 2023, nga i cili rezultoi Plani për Likuidim Vullnetar.
“Ky Plan pas rishikimit mori pëlqimin e BQK-së me datën 6 tetor 2023, për t’u përmbyllur më pas me vendimin e datës 9 janar 2024, për mbylljen e degëve dhe të të gjitha nën-degëve në Republikën e Kosovës, efektive nga 31 janar 2024”, u tha në këtë njoftim.
Sipas BQK-së, “Komercijalna Banka AD Beograd” – Dega në Mitrovicë ishte licencuar nga ky institucion për operim në vitin 2007 dhe ka operuar me Degën në Mitrovicë dhe tetë nën-degë në territorin e Kosovës.
Pas kalimit të afatit të paraparë për operime bankare më qytetarë, me fundin e ditës së datës 31 janar 2024, janë përmbyllur të gjitha depozitat bankare ndaj qytetarëve, ndaj BQK-ja ka konstatuar pushimin e aktivitetit të kësaj dege bankare në Kosovë.