Banka Qendrore e Kosovës ka dalë me disa sqarime shtesë pas reagimeve të shumta në lidhje me rregulloren e re mbi përdorimin e parave të gatshme në territorin e Kosovës, ku është bërë e qartë se valuta e vetme e lejuar është Euro dhe se Dinari nuk është më i pranueshëm.
Në dokumentin e publikuar, BQK ka përfshirë pyetjet dhe përgjigjet më të shpeshta mbi përdorimin e valutave tjera si mjet pagese, të cilat nuk janë euro.
“Valuta e vetme e vlefshme të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin kombëtar te pagesave (SNP/KIPS) në Republikën e Kosovës është Euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është autoriteti i vetëm monetar në Republikën e Kosovës që mund të vendosë për valutën e vlefshme për kryerjen e pagesave dhe denominimet përkatëse”.
“Valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor. Këmbimet valutore mund të kryhen në Republikën e Kosovës vetëm përmes institucioneve të licencuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës që ofrojnë këtë shërbim, për te gjitha valutat pa përjashtim nga aspekti rregullativ”, ka njoftuar BQK-ja ndër të tjera.
Ndryshe, autoritetet në Kosovë thanë të mërkurën se nga 1 shkurti do të hyjë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore mbi pagesat me para të gatshme në vend, por lanë të hapur mundësinë për një periudhë kalimtare për zgjidhjen e shqetësimeve të komunitetit serb që vazhdon të përdorë dinarin serb. Kjo ka ngjallur reagimet e menjëhershme të komunitetit ndërkombëtar.
Gjatë ditës së djeshme Bashkimi Evropian, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, dolën me reagime zyrtare përmes të cilave kanë kundërshtuar planet aktuale të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e dinarit serb.
Përmes një komunikate, BE-ja ka insistuar që kjo çështje të përfshihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbis, si dhe të gjendet një zgjidhje.
“Periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e tyre.
BE-ja i kërkon Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja“, thuhet në komunikatë.
Nga blloku shprehen të shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.
“Bashkimi Evropian merr parasysh rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot. Rregullorja synon të rrisë transparencën e flukseve financiare, të sigurojë stabilitetin financiar dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave. BE-ja vëren se rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia.
BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”, thuhet në deklaratën e BE.
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka thënë të enjten se SHBA e kundërshton zbatimin e rregullores së BQK-së para se ajo të jetë plotësisht e përgatitur, e cila përcakton që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin.
Hovenier tha se SHBA-ja është e shqetësuar se rregullorja mund të nxisë tensione etnike në vend.
“Ne jemi të shqetësuar se rregullorja, ashtu siç e kuptojnë ne, nuk e merr parasysh plotësisht ndikimin që do të ketë tek individët, posaçërisht individët që marrin mbështetje financiare nga Qeveria serbe. Ne mendojmë se kjo çështje meriton shqyrtim më të kujdesshëm dhe diskutime në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Jemi të shqetësuar se ka mundësi t’i përshkallëzojë tensionet etnike dhe të jetë problematike për jetën e përditshme e një numri të qytetarëve të Kosovës”, shtoi ai.
Në një deklaratë të mëvonshme, Departamenti amerikan i Shtetit tha të enjten se është thellësisht i zhgënjyer me planet aktuale të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë dinarin serb.
DASH tha se vendimi “i njëanshëm” i Kosovës për ta zbatuar një rregullore të Bankës Qendrore të Kosovës, ia kufizon mundësitë SHBA-së për të avokuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Ne bëjmë thirrje sërish që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet menjëherë derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha kalimtare. Vendimi u shpall pa përgatitje apo konsultim adekuat”.
Madje theksohet se pasojat e këtyre veprimeve që DASH i cilëson si të njëanshme do të kenë pasoja.
“Ne bëjmë thirrje sërish që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet menjëherë derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha kalimtare. Vendimi u shpall pa përgatitje apo konsultim adekuat”, thuhet në një përgjigje të Departamentit amerikan të Shtetit për Zërin e Amerikës.
DASH tha se ka kërkuar nga autoritetet në Kosovë të shpjegojnë se çfarë problemi urgjent synon të zgjidhë kjo rregullore dhe nëse nevojitet urgjenca.
“Nuk kemi dëgjuar asnjë përgjigje të përshtatshme. Shumë qytetarë të Kosovës tani nuk e dinë se si do t’i paguajnë faturat apo do t’i marrin pensionet. Ky veprim nuk është gjithashtu në përputhje me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të adresuar çështjet që ndikojnë në mirëqenien e komunitetit të pakicës serbe”, thuhet në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit duke nënvizuar se qeverisja e mirë dhe partneriteti i mirë ndërkombëtar kërkojnë kohë për të vlerësuar pasojat, për të dëgjuar perspektivat dhe për t’u konsultuar me të tjerët për një zgjidhje të zbatueshme.
Pasoja e këtij dhe veprimeve të ngjashme të njëanshme i kufizon mundësitë e Shteteve të Bashkuara si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, u tha në përgjigje.
Ndërkaq, kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme duke komentuar kërkesën e BE-së që Kosova të ofrojë periudhë të gjatë tranzicioni për largimin nga përdorimi të dinarit serb, tha se faza tranzitore ka nisur prej dhjetorit të vitit të kaluar dhe gjithçka ka shkuar në rregull.
“Pikërisht përgatitjet e suksesshme për zbatimin e rregullores së BQK-së kanë alarmuar Beogradin zyrtar dhe ata më pastaj u përpoqën që të përhapin panik nëpërmjet një fushate që trumbetohej nga kreu i shtetit atje. Me informatat që i kam gjithçka po shkon në rregull, por, nëse ka ndonjë vërejtje a ankesë, ne do ta adresojmë me seriozitetin më të lartë dhe me shpejtësinë më të madhe”, ka deklaruar Kurti.
Kurti përsëriti se BQK është institucion i pavarur dhe se institucioneve të pavarura nuk mund t’i mbivendosen politikanët.
“BQK është institucion i pavarur i Kosovës, nuk munden politikanët t’i mbivendosen institucioneve të pavarura të shtetit, sepse asisoj e humbim karakterin e republikës demokratike për vendin tonë të pavarur. Kushtetutshmëria, ligjshmëria, vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohen nga politikanët”, deklaroi Kurti.
Qeveria e Kosovës ka deklaruar se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se do të ndalet trasferet e parave nga Serbia dhe po ashtu nuk nënkupton dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera.
Megjithatë, nga 1 shkurti nuk do të lejohet importi i parave nëse institucionet që e bëjnë importin, nuk janë të licencuara nga BQK-ja.
Hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së ka ngritur shqetësime te popullata serbe në Kosovë, e cila ka përdorur dinarin serb për të kryer pagesa. Me këtë valutë, pagën e kanë marrë edhe punonjësit në institucioneve serbe në Kosovë, por edhe me dinarë janë paguar edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.
Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët janë përdorur në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, paraprakisht e kishte thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.