Rrahman Rrustemi që ishte njohur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si Komandant “Raketa” ishte menduar nga familjarët si i vdekur. Ai ka rrëfyer se si ishte kthyer në shtëpi kur babai dhe 6 motrat e tij po prisnin njerëz për kryeshëndosh.

Ardhja në shtëpinë e tij nuk ishte kaq e zakonshme para 25 vitesh.

Rrahman Rrustemi ishte futur në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për më shumë se një vit, familja nuk kishte ditur gjë për fatin e tij.

Babait dhe 6 motrave, u kishte ardhur lajmi se ai kishte vdekur dhe ata po prisnin njerëz për krye-shëndoshë për djalin e tyre.

Por, Komandant “Raketa” ishte i gjallë dhe rrëfen nën emocione për takimin që kishte me familjarët atë ditë në të pamën e tij.

“E pashë një karrige dhe një lule. Thashë paska vdekë baba… Kur hyra brenda, aty baba dhe motrat. Nuk më njihte askush. Dhe po i them, axhë a po mërzitesh për Rrahmanin që ka vdekë? Valla bre bir po mërzitna boll, po ishalla shokët e tij më ndihmojnë, mbasi jam plak. I thashë, kanë me të ndihmue. I thashë, konë e ka lonë ‘Raketa’? Tha gjashtë motra dhe gruen. I thash ‘Raketës” i ka dalë shpirti nmbi kambën time. Dhe mue më ka thanë, se unë jam vejan, po boj hajgare me babën, ma ka lanë amanet unë me marr gruen e tij. Ai nuk më shau, por më tha: ‘A bon me ec ti’. Atëherë i kam heq syzat dhe i kam thanë, babë unë jam Rrahmani, veç kur i ra të fiktë, edhe motrave ju ra të fiktë”, rrëfen ai momentet emocionuese kur ishte kthyer i gjallë në shtëpinë e tij.

Ai tregon plumbin të cilin e kishte nxjerrë nga trupi gjatë luftimeve por edhe një tjetër brenda, e mban tash e 25 vite.

Rrustemi thotë se për të nuk ka qenë e lehtë që t’i lë gjashtë motrat dhe babanë e tij të vetëm dhe t’i bashkohet UÇK-së.

Me gjithë vështirësitë që i ka kaluar, ish-ushtari tregon se jeton në kushte të vështira dhe nuk është i kënaqur me përkujdesjen e shtetit.

Komandant Raketa ishte snajperit i UÇK-së, i cili kishte shërbyer në Zonën e Drenicës, të Nerodimes dhe në Malet e Berishës. /Tëvë1/