Ka ndërruar jetë Kushtrim Hajdaraj, djali i Tomë Hajdarajt, ish-deputetit dhe ministrit të Kosovës.

Për vdekjen e tij e ka folur edhe Don Lush Gjergji.

“Sot, më 12 mars 2024, rishtas jemi këtu për varrimin e birit të Tomës dhe Pashkës, vëllait tonë të ri, Kushtrimit tonë të dashur dhe të paharrueshëm. Ai ishte si rrezet e Diellit, që ei largojnë mjegullat, vranësimin, shiun, dhe na japin ngrohtësi, dritë, shpresë, disponim, lumturi”, ka thënë Don Lush Gjergji, i cili ka kujtuar se më 21 qershor 2016 kishte ndërruar jetë edhe babai i Kushtrimit, Tomë Hajdaraj, ish-deputet dhe ministër i Republikës së Kosovës.

Njoftimi i plotë i Don Lush Gjergji:

In memoriam: Kushtrim (Tomë) HAJDARAJ (1987 – 2024)

Shijoje rininë e amshuar që nuk përfundon kurrë!

E dashura familje e të ndjerit Kushtrim, të dashur besimtarë, vëllezër dhe motra, sot të pikëlluar, por një ditë të ngushëlluar,

Para tetë viteve, pikërisht më 21 qershor 2016, ishim këtu për varrimin e mikut, shokut, vëllait dhe bashkëpunëtorit tejet të vyeshëm dhe shumë të dashur, Tomë Hajdarit.

Sot, më 12 mars 2024, rishtas jemi këtu për varrimin e birit të Tomës dhe Pashkës, vëllait tonë të ri, Kushtrimit tonë të dashur dhe të paharrueshëm. Ai ishte si rrezet e Diellit, që ei largojnë mjegullat, vranësimin, shiun, dhe na japin ngrohtësi, dritë, shpresë, disponim, lumturi…

Dikush ndoshta thotë: zgjati tepër pak! Po, por mos të harrojmë se jeta tokësore është mbjellje për amshim. Kur mbjellja ujitet me lot, pa dyshim jep shumë fryte.

Nga ngjarjet e tilla mendja errësohet dhe shtron pyetje: Pse dhe si ndodhi kjo? Zemra shqetësohet dhe tronditet, njeriu është në rrezik ta humbë drejtpeshimin.

Kemi shumë pse-he, pa ndonjë përgjigje të arsyeshme, por përgjigjja e vetme është feja, Zoti, sepse prej Tij rrjedhim, me Te jetojmë dhe te Ai kthehemi, prandaj e tërë jeta jonë, e kaluara, e tashmja, sidomos e ardhmja, amshimi, nuk është në duar tona, por të Zotit, të Provanisë dhe dashurisë së tij.

Jeta e njeriut nuk matet me kohë apo me vite, dekada, por me cilësi dhe thellësi, me kualitet. Mozarti i famshëm ka jetuar pak, por ka dhuruar shumë mbarë njerëzimit me muzikën e tij të mrekullueshme. Një natë para se të vdiste ai i kishte shkruar këto fjalë dhe këtë testament: “Të falënderoj o Zot, që ma ke dhënë fenë e cila me siguron që do të jetoj në amshim, pra, kjo jetë ka fillim, por nuk ka mbarim, por vetëm kalim në amshim!”.

Kushtrimi ynë nuk e di a ka lënë ndonjë testament të shkruar me dorë, por atë e ka lënë dhe dhënë me jetë, me dëshmi, me buzëqeshje dhe gëzim, me bashkëshorten dhe dy fëmijë – lule jete dhe dashurie, kujtim dhe vazhdimësi e jetës dhe familjes së tij…

Prandaj, familje e pikëlluar nga kjo ndarje e dhimbshme dhe e përkohshme, jini të fortë në fe, të gjallë në shpresë, mbi të gjitha të thadruar dhe thelluar në Zotin – Dashuri, si dhe në vëllain apo motrën Njeri.

Ne sot jemi këtu me ju dhe për ju, me Kushtrimin tonë, për ta ndarë dhe me ju pikëllimin, dhembjen, mërzinë, por edhe shpresën, sigurinë që jeta vazhdon në një formë dhe trajtë të ndryshme. Jemi këtu për t’iu thënë pa fjalë, me lot dhe me shpresë, por me prani dhe me zemër, së bashku me Shën Palit është: “Qani me ata që qajnë”.

Mërzia është krejt e natyrshme, njerëzore, por jo edhe dëshprimi dhe dorëzimi. Ne sot i dorëzohemi Zotit dhe shpirtin e Kushtrimit ia dorëzojmë Atij që është i vetmi Krijues dhe Shpëtimtar.

Vetëm Zoti thotë dhe garanton me jetë dhe ngjallje këtë: Unë jam të ngjallurit dhe jeta. Kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë!

Prandaj ta ngushëllojmë njëri – tjetrin, së fundi vetveten, me fe, shpresë dhe dashuri, duke dëshmuar vëllazërinë tonë gjithshqiptare, fenë në Zotin burim jete dhe dashurie.

Garancia e amshimit të lumtur për çdo njeri ka një çmim tejet të lartë, e shkruar me lot, djersë dhe gjak, e vulosur me ngjallje dhe pavdekësi!

Në emër të vëllait meshtar Don Izak Dodës, të meshtarëve dhe motrave, besimtarëve, si dhe të gjithë të pranishmëve. me gojë, mend, zemër dhe jetë ju shprehim ngushëllimet tona. Bëhuni të fortë, si keni qenë gjithmonë. Jetoni me shpresë dhe siguri, që atdheu ynë nuk është Toka dhe Varri, por Qielli dhe Amshimi.

Shën Nëna Tereze thotë: “Kush beson dhe dashuron, gjithmonë jeton!”. Kushtrimi ka besuar në Zotin dhe në njeriun, mbi të gjitha ka dashuruar jetën, familjen, shoqërinë, Kosovën tonë, shqiptarizmin.

Kushtrimi e gëzoftë amshimin e lumtur, rininë që nuk ka kurrë mbarim, ndërsa ju – ne së bashku me ju, e paçim ngushëllimin!

Jepja o Zot, pushimin e pasosur!

I shëndritë Drita e pambaruar!

Pushoftë në Paqe! Amen!

Palabardh, 12 mars 2024 (dita e varrimit) Don Lush GJERGJI