Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, tha se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që ta pezullojë vendimin për ndalimin e monedhës serbe në Kosovë, derisa Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.

“Kryeministri tha se ky ishte vendim i një institucioni të pavarur”, tha Escobar në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë të premten, në përfundim të vizitës së tij në Kosovë, të cilën e nisi më 13 mars.

Escobar, megjithatë, tha se ende shpreson që një zgjidhje të gjendet të martën, kur kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel.

Ai shtoi se nuk ka marrë asnjë garanci nga kryeministri i Kosovës kur bëhet fjalë për të çuar përpara draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Escobar pranoi se ka, siç tha, “shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosjes, jo vetëm në Uashington, por edhe në Bruksel, Romë, Berlin e Paris”.

“Ne gjithmonë do të jemi miq të ngushtë të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi dallime me individë dhe me qeveri individuale. Dhe, unë mendoj se pikërisht këtu jemi tani – jemi duke hyrë në një periudhë të mungesës së komunikimit. Dhe ne, së paku nga pala amerikane, jemi duke bërë gjithçka që mundemi për ta riparuar këtë marrëdhënie”, tha Escobar, njëherësh i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Vendimin për tokat rreth Manastirit të Deçanit, ai e cilësoi si pozitiv, por tha se janë edhe dy kushte që Kosova duhet t’i plotësojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

I pyetur nëse SHBA-ja sheh ndonjë lidhje midis sulmit në Banjskë dhe shtetit të Serbisë, Escobar tha:

“Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, por po e hetojmë në tërësi”.

“Ne nuk po i kërkojmë Serbisë hetime të 24 shtatorit [kur ndodhi sulmi në Banjskë], ne po i kërkojmë llogaridhënie”, tha Escobar.

Radio Evropa e Lirë: Zotëri Escobar, faleminderit që po flisni për Radion Evropa e Lirë këtu në Prishtinë, në fund të vizitës suaj në Kosovë. Para se të udhëtonit për në Kosovë, ju thatë se fokusi i vizitës do të ishte në një zgjidhje të mundshme për, siç thatë ju, vendimin e pakoordinuar për ta ndaluar dinarin serb. Mbrëmë, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, ju tingëlluat paksa optimist lidhur me atë takim. Thatë se e kishit një diskutim të mirë, të hapur, ku kryeministri Kurti tha se ai do t’i shqyrtonte disa propozime që ju ia dhatë. A keni marrë ndonjë përgjigje nga kryeministri?

Gabriel Escobar: Kemi, por më lini t’ju tregoj pse kjo është e rëndësishme. Shtetet e Bashkuara janë shumë të përkushtuara për t’u siguruar që Kosova mbetet një demokraci civile multi-etnike dhe, për të ndodhur kjo gjë, të gjitha komunitetet etnike duhet të ndihen të sigurta dhe të jetojnë në kushte sigurie dhe dinjiteti.

Ajo që po ndodh tani me vendimin e Bankës Qendrore [të Kosovës], është se ka shumë qytetarë tuaj që po ndiejnë shumë dhimbje, njerëz që nuk po i marrin pagat modeste.

Ne po flasim për [persona] me aftësi të kufizuara, të pensionuar, studentë – njerëzit më të cenueshëm – dhe ky vendim i ka prekur ata shumë thellësisht.

Tani, Qeveria ka thënë se ka shumë opsione për ta, por Qeveria nuk ua ka ofruar atyre një opsion. Qeveria ka thënë se opsioni… [se] ata e kanë vetë përgjegjësinë për ta bërë këtë dhe shumë njerëz janë duke e pasur të vështirë.

Disa nga njerëzit më të moshuar nuk i kanë dokumentet e duhura. Disa nga njerëzit më të rinj… dokumentet e tyre nuk po pranohen. Disa nga bankat po thonë se duhet mesatarisht një orë për ta hapur një llogari. Jo të gjithë kanë llogari.

Vetë bankat, pavarësisht se çfarë thotë Ministria juaj e Financave… vetë bankat thonë se atyre iu duhen mes 30 dhe 40 mijë llogarive, me secilën llogari që merr nga një orë.

Kjo është 40 mijë orë të kohës së stafit. Duke konsideruar se njeriu mesatar punon mes 1.000 dhe 1.500 orësh në vit, imagjinoni se sa gjatë do të duhet për t’i hapur këto llogari.

Kështu që, ky veprim, i cili është i pakoordinuar dhe që ka krijuar përçarje, është duke krijuar vështirësi reale për qytetarët, për disa nga qytetarët e Kosovës.

Tani, njerëzit që nuk marrin ndihma sociale nga Serbia, nuk e vërejnë se sa shumë po ndikon te disa. Ata që punojnë me euro dhe ata që paguhen në mënyra të tjera, nuk e kuptojnë se ka njerëz në mesin tuaj që po vuajnë.

Kështu që ishte mirë që kryeministri e pranoi se ka njerëz që po vuajnë. Por, kjo nuk mjafton. Na duhet një zgjidhje.

Unë i kërkova kryeministrit ta suspendojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate, që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës.

Por, tani, ne duhet të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë.

Radio Evropa e Lirë: Ky është lajmi i fundit nga kryeministri?

Gabriel Escobar: Ky është lajmi i fundit.

Radio Evropa e Lirë: Sot?

Gabriel Escobar: Unë ende jam duke shpresuar që, kur kryenegociatorët të takohen në Bruksel të martën, ata do ta gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për t’i lejuar transferet e parave të gatshme në euro për këta njerëz.

Radio Evropa e Lirë: Cilët janë hapat e radhës ose cili ishte arsyetimi që morët nga kryeministri?

Gabriel Escobar: Kryeministri tha se ky është një vendim i një institucioni të pavarur, në të cilin ai nuk dëshiron të përfshihet, ose që kjo është një telashe për njerëzit që mund të tejkalohet lehtësisht, ose që mund të zëvendësohet me pagesa nga Qeveria e Kosovës.

Por, asnjëra nga këto nuk do të ndodhë shpejt. Për këtë arsye, ne po kërkojmë shtyrje të zbatimit. Tani, unë e kuptoj, normalisht, që një Bankë Qendrore dhe Ministria e Financave e bëjnë më të mirën e tyre për të mos krijuar jostabilitet dhe paparashikueshmëri në ekonomi. Ato e bënë pikërisht këtë gjë.

Tani ka disa jashtë që besojnë se kjo u bë për t’i ndëshkuar serbët. Unë nuk e besoj këtë. Por, unë besoj që – meqë kjo Qeveri e Vetëvendosjes nuk ka një histori të gjatë qeverisjeje – nganjëherë ka njerëz që nuk i mendojnë pasojat deri në fund.

Dhe, unë mendoj se kjo është arseyja përse unë e karakterizova këtë në Bruksel si paksa jokompetencë, sepse kur flasim për pasojat e padëshirueshme, të gjithë e kuptuan se ka pasoja të padëshirueshme. Por, këto mund të ishin parashikuar dhe do të ishin parashikuar nëse nuk do të ishte [veprim] i pakoordinuar.

QUINT-i ka shumë përvojë në konvertimin e monedhave, duke kaluar nga një monedhë në euro, por iu desh shumë kohë. Ne kishim vetëm pesë javë.

“Ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosjes”

Radio Evropa e Lirë: Pse vendosi kryeministri të vazhdojë me këtë ndalim duke e ditur se kjo çështje mund të ishte zgjidhur përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe?

Gabriel Escobar: Kjo është një pyetje për të, por është e vërtetë. Ajo që ne nuk duam të bëjmë, është ta minojmë potencialin e Asociacionit, që është ende shumë i rëndësishëm. Është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Do të flasim për këtë më vonë. Por, si ndiheni si zyrtar i SHBA-së që refuzoheni nga kryeministri?

Gabriel Escobar: Nuk është hera e parë, këtë ua them. Dhe, ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosjes – jo vetëm në Uashington, por në Bruksel, Romë, Berlin dhe Paris, gjithashtu.

Ne, përderisa i afrohemi 25-vjetorit të aksionit të NATO-s, është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë që forca e marrëdhënies ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes njerëzve.

Ne gjithmonë do të jemi miq të ngushtë të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi dallime me individë dhe me qeveri individuale. Dhe, mendoj se këtu jemi tani… po hyjmë në një periudhë të mungesës së komunikimit. Dhe ne, të paktën nga pala amerikane, po bëjmë gjithçka që mundemi për ta riparuar këtë marrëdhënie.

Radio Evropa e Lirë: Ky vendim i sotëm, si do të ndikojë në komunikimin, partneritetin, marrëdhënien që SHBA-ja ka me Kosovën?

Gabriel Escobar: Marrëdhëniet tona bazohen, pothuajse gjithmonë, jo vetëm në interesa të përbashkëta, por në vlera të përbashkëta. Dhe, një nga ato vlera të përbashkëta, është përkushtimi ndaj të drejtave të njeriut.

Pra, fakti që Qeveria më pro Kosovës në botë dhe Qeveria më proamerikane në botë, pra Shtetet e Bashkuara dhe Kosova, po e kanë këtë vështirësi, nuk është për shkak të politikave tona ndaj Rusisë apo Ukrainës apo Kinës, është për shkak të trajtimit të minoriteteve.

Pra, kjo duhet të jetë një thirrje zgjimi për kryeministrin dhe Qeverinë e tij se ku po shkon kjo marrëdhënie.

Radio Evropa e Lirë: A do ta konsideroni [vendosjen e] ndonjë mase kundër Kosovës për shkak të kësaj?

Gabriel Escobar: Jo… Është fakt që ne po përpiqemi ta ndihmojmë atë të kujdeset për qytetarët e saj. Dua të them se jemi pothuajse në një pikë ku po përpiqemi shumë të punojmë me të.

Tani, pyetja nuk është nëse do të ketë masa, por, padyshim, ka pasoja. Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane.

Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia.