“Për ne është krejt njësoj. Por, nuk mund të kemi zgjedhje të parakohshme në Kosovë pa opozitën. Shumë gjëra mund t’i bëj edhe pa opozitën, por jo edhe këtë”.

Kështu u shpreh Albin Kurti kur u pyet nga gazetari i Radio Evropës së Lirë të mërkurën rreth mundësisë së organizimit të zgjedhjeve të reja dhe përfundimit para kohe të mandatit të tij si shef qeverie.

Ndërkaq, në një intervistë të mbrëmshme në RTK, Kurti pati edhe një ofertë për opozitën.

Duke ia kujtuar gazetarja se opozita nuk i ka numrat për ta shpërndarë kuvendin, ai tha: “Mund t’i bëjnë bashkë me neve, kjo është oferta ime”.

“Unë po them që po shkojmë në zgjedhje kur dëshiron opozita. Ne i ndihmojmë opozitës nëse dëshirojnë të shkojnë në zgjedhje”.

E kjo deklaratë e Kurtit mori reagime të menjëhershme nga opozita, e cila foli me tone pozitive rreth paralajmërimit të kryeministrit për dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Memli Krasniqi, kryetari i PDK-së, tha se ka muaj që ka kërkuar shpërndarjen e kuvendit, derisa ia dërgoi një porosi kryeministrit.

“Prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati. Çohu shkojmë në zgjedhje menjëherë”, iu përgjigj Krasniqi, Kurtit në një shkrim në rrjetin social Facebook të enjten në mbrëmje.

Edhe LDK-ja u deklarua se është gati për zgjedhje.

Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, në një interviste televizive në televizionin T7 tha dje se “nëse Kurti është dorëzuar, le të japë dorëheqje”.

“Le ta japë qartë, zëshëm, nëse është dorëzu e duket se është dorëzu, le të japë dorëheqje. Pra, nëse është dorëzu, le të japë dorëheqje. Por le t’ia shpjegojë popullit pse po i lë. LDK nuk bën mocion të shpërbërjes së Kuvendit, por është e gatshme për zgjedhje prej sot. Është e gatshme edhe për qeverisje pas zgjedhjeve”, tha Abdixhiku.

Për zgjedhjet e parakohshme foli edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili tha se në trevjetorin e Qeverisë Kurti vendi ka pësuar dëme e kthim në pikën më të errët.

Në një konferencë për media të premten, Tahiri tha se AAK-ja është e gatshme për zgjedhje.

“Ne kemi përgatitur një kërkesë për një debat parlamentar në trevjetorin e kësaj keqqeverisje, e cila realisht ka arritur t’i bëjë vetëm dëme Kosovës dhe ta kthejë në pikën më të errët që nuk e ka besuar askush ndonjëherë. Mirëpo unë jam i kënaqur që dje kryeministri Albin Kurti e tha edhe vetë dhe e ka kuptuar edhe vetë se ai duhet të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Kur në fillim të këtij mandati, kryetari (Ramush) Haradinaj thoshte se ky është një mashtrues, njerëzit shikonin me habi të madhe”, u shpreh Tahiri.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, të parakohshme, janë mbajtur më 2021.

Në ato zgjedhje, LVV-ja fitoi mbi 50% të votave, kurse PDK-ja doli e dyta me 17%, LDK e treta me mbi 12% dhe AAK e katërta me mbi 7 për qind. Lista Serbe fitoi mbi 5% të votave.