Sot janë bërë 25 vjet nga rënia heroike e dëshmorit të kombit Hamdi Sejdiu, njofton Llapi.info.

Si pjesëtar i UÇK-së, Hamdiu dha kontributin e tij edhe në organizmin e ushtrisë në rrethin ku jetonte.

Ai pos që shquhej në betejat si luftëtar i vijës së parë të frontit kontribuonte shumë edhe në mirëmbajtjen e armatimit të UÇK – së, që e sillte i vëllai Salihu me Çelë Gashin, ku ai ua punonte mjaftë mirë pjesët e drurit dhe i bënte funksionale për luftë kundër okupatorit serb.

Dëshmori i kombit Hamdi Sejdiu mori pjesë në shumë beteja që u zhvilluan në pjesën veriore të Llapit dhe sidomos në mbrojtjen e kufirit me Serbinë.

Në betejën e njohur të zhvilluar në kufi në fshatin Tashefc, më 24 mars 1999, rreth orës 15 e 30 minuta, në vendin e quajtur “Kodra e Zeqirit”, luftëtarët shqiptarë ndeshen në afërsi me forcat serbe dhe pas një përleshjeje të ashpër bien në krye të detyrës, Hamdiu dhe Fatmiri.

Trupat e dëshmorëve tërhiqen nga Muhamet Latifi dhe Naser Hyseni eprorë të ZOLL- it, si dhe vëllai Salihu. Pasi ato ditë në këto anë të Llapit luftohej pandërprerë trupat e dëshmorëve u varrosën nga bashkëluftëtarët, në natën në mes të 24 e 25 marsit 1999, në varrezat afër rrugës kryesore në lëndina./Llapi.info