Shkruan: Fexhrie Potera-Hyseni –

E dashur vendlindja ime,

Nesër do të gdhihesh si çdo mëngjes tjetër, dielli do të lindë dhe do t’i shpërndajë rrezet mbi tokën tënde të çmuar si në ditët e shkuara, por agun e nesërm bija jote nuk do ta përshëndes më. Rrezet e diellit nuk do të shtrihen në flokët e saj më si njëherë e një kohe mëngjeseve rrugës për në shkollë.

Halimja, bija e Shefkije dhe Faik Muratit nga Llapashtica e Poshtme, lindi në Besianë në janar të 1970-s. Ishte fëmija i dytë në familjen e Shefkijes dhe Faikut. Në shtator të vitit 1977 filloi shkollën fillore në Besianë, ku dallohej për zgjuarsi dhe kishte dëshirë për dituri. Ishte nxënëse shembullore, e dashur me të gjithë. Ajo ishte krenaria e nënës Shefkije.

Demonstratat e marsit dhe prillit të vitit 1981, si për shumë llapjanë, edhe për Halimen u bënë një kthesë në jetën e saj të re. Ajo iu përkushtua edhe më shumë nxënies së dijes, sepse dija ishte arma më e fuqishme për të ecur përpara. Në janar të vitit 1984, kur ajo vijonte klasën e tetë, me iniciativën e Halimes u ndërmor aksioni për të hequr dhe thyer fotografinë e J. B. Titos në shkollën “Shaban Shala”, asokohe shkolla “Vllazërim Bashkim”. Halimja u denoncua dhe u dënua nga gjykata komunale në Podujeve me dy vjet burg në shtëpinë korrektuese për të mitur. Familja e Halimes u ankua në shkallën më të lartë dhe vendimi i Gjykatës Komunale të Podujevës u anulua në një dënim me kusht për dy vjet. Në këtë mënyrë Halimja i shpëtoi dënimit në shtëpinë korrektuese për të mitur, por jo edhe përndjekjes dhe përgjimit të sigurimit sekret të asaj kohe. Mirëpo Halimja nuk frikësohej nga përgjimet dhe reprezaljet. Përkundrazi, Halimja thoshte se ajo ishte më e fortë, se kishte të drejtë dhe vullnet të përpiqej për të mirën e vendit të saj dhe të popullit të saj.

Në vitin 1985 filloi vitin e parë në Gjimnazin “8 Nëntori”. Aty qysh në fillim u angazhua në grupin letrar të shkollës ngaqë Halimja merrej edhe me shkrime. Atje Halimja erdhi në kontakt me Naser Hysenin, Hajredin Hysenin dhe aktivistë të tjerë të çështjes kombëtare me ç’rast Halimja me shoqe u bënë pjesë e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Për Halimen kyçja në LPRK ishte një e arritur e madhe. Ajo dhe shoqet e saj ishin pjesë e organizatës ilegale që kishte shtrirje në gjithë vendin. Nuk ishte më Halimja dhe një grup shoqesh që ndanin të njëjtin mendim. Kyçja në LPRK i dha forcë më të madhe për t’i vazhduar përpjekjet për çlirimin e vendit nga okupatorët.

Halimja ishte një agjitatore e zonja. Kudo ndër gjimnaziste diskutonte për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej vendi. Veprimtaria e saj i pengonte individët që ishin të lidhur me pushtetin. Kështu, në pranverën e vitit 1986, kur Halimja vijonte vitin e dytë, u thirr në drejtorinë e shkollës, ku iu dha komunikata se ajo ishte e përjashtuar nga shkolla sepse propagandonte në shkollë kundër pushtetit jugosllav. Halimja e hodhi poshtë akuzën si të pabaze dhe të paqëndrueshme. Ajo u shpreh: “Unë nuk them asnjë gjë që nuk është e vërtetë. Sipas fakteve historike, sllavët e jugut janë të ardhur në këto troje. Këtë e thotë shkenca e historisë. Unë vetëm tregova atë se çfarë kam lexuar në librat e historisë”. Faktet që ajo i paraqiti në drejtori nuk u morën parasysh. Halimja u përjashtua nga gjimnazi, por ajo nuk u dorëzua. Familja angazhoi avokat dhe Halimja e mori vitin e dytë me korrespondencë dhe vitin e tretë e filloi si gjimnaziste e rregullt në degën e Ekonomisë dhe kontabilitetit.

Përkundër vështirësive dhe pengesave që i nxirrte pushteti i atëhershëm, ajo nuk jepej. Përkundrazi, Halimja natën shpërndante trakte në të cilët i bëhej thirrje popullit për rezistencë dhe në ditën tjetër vijonte mësimet si çdo gjimnazist. Dega e LPRK-së në Llap zgjerohej nga dita në ditë me anëtarë të rinj dhe aktivitetet sa vinin e shtoheshin. Kështu që, lindi nevoja për shpërndarjen e detyrave në mesin e anëtarëve të degës: Halimes iu ngarkua përgjegjësia të mbante lidhje me grupin e vajzave dhe grave të rrethit të Ferizajt që nga pranvera e vitit 1987. Personi kontaktues nga rrethi i Ferizajt ishte Shahadia.

Në shtatorin e vitit 1988 u ndërmor një aksion për shpërndarjen e pamfleteve në qytetin e Podujevës dhe në tërë krahinën e Llapit. Halimja ishte një nga aktivistet që mori pjesë në shpërndarjen e pamfleteve në qytet. Pas këtij aksioni pasuan arrestime të shumta. U arrestuan Bajram Hajrizi nga Bradashi, Fikrie Musa nga Podujeva, Fahri Zebica nga Letanci, Hajredin Hyseni nga Ballofci, Hysen Jashari nga Bradashi, Naser Beka nga Dobërdoli, Nexhat Maliqi nga Podujeva, Nezir Haziri nga Bradashi, Skender Murati nga Llapashtica e Poshtme, Ruzhdi Kiqmari nga Podujeva si dhe aktivistë nga komuna të tjera si Ferizaj, Istogu etj. Në ilegalitet u hodhën Naime Jashari nga Bradashi, Enver Behrami nga Podujeva, Fahri Ajeti nga Mirofci, Naser Hyseni nga Ballofci, Sabri Kicmari nga Podujeva dhe Fexhrije Potera nga Podujeva.

Me dhimbje të thellë në zemër për shokët dhe shoqet e burgosur, Halimja nuk e ndali veprimtarinë për çlirim, përkundrazi me një rast erdhi një informatë se Halimja po përcillej dhe dyshohej se do të arrestohej së shpejti. Unë e kontaktova Halimen dhe i tregova për dyshimet që kishim dhe rrezikun që i kanosej se edhe ajo do të arrestohej. Halimja dëgjoi me vëmendje dhe më tha:

– E di se më përcjellin, po i shoh. Ama unë duhet ta kryej punën e shokëve të rënë në burg. Nëse unë do të isha në situatën e tyre, do të dëshiroja që shokët dhe shoqet e mia të punonin edhe për mua. UDB-a le të më përcjell, atë punë ka, kurse detyra ime është ta vazhdoj punën time dhe të jem vigjilente e të mos bie në grackën e saj.

E merakosur për Halimen, e përqafova dhe i thashë: Ti vazhdo, por mos harro planin e arratisjes në rast nevoje.

– Atë e kam parasysh, mos u merakos, tha Halimja me buze në gaz dhe u largua. Kjo ishte hera e fundit që e takova Halimen para se ta lija vendin në tetor të 1988-s.

Halimja vazhdoi me shokët dhe shoqet tutje punën për çlirimin e atdheut, mori pjesë në protestat gjithëpopullore dhe demostratat e pranverës 1989, ndihmoi Çetën e Llapit deri në verën e vitit 1989, kur policia e rrethoi shtëpinë e Halimes për ta arrestuar atë. Në momentin kur policia e kërkoi Halimen, në shtëpi ajo nuk qëlloi dhe nga ajo ditë u hodh në ilegalitet dhe iu bashkua pjesës ilegale të LPRK-së që në popull njihej si Çeta e Llapit. Pas disa muajsh pastaj u arratis në Zvicër.

Mërgimin Halimja e përjetoi shumë rëndë. Aktiviteti jashtë vendit, sipas saj, ishte një kopje e zbehtë e veprimtarisë brenda vendit. Një veprimtari përgatitore mbrapa perdeve të podiumit të skenës kosovare. Aktivitete sa për ta mbajtur frymën e idealit gjallë, shtonte ajo. Puna dhe përpjekjet bëhen në vend, po ja që shokët mendojnë se nuk janë pjekur kushtet për një luftë apo protestë gjithëpopullore brenda vendit, thoshte Halimja në takimin me të në prillin e 1990-s në Gjenevë.

Halimja, llapjanja që thurte të ardhmen tënde te toka ime, nuk frymon më në mesin e të gjallëve, na la: Larg teje, larg nënës Shefkije, larg vëllezërve e larg shoqeve që e çmuan aq shumë! Por, ti toka jonë e dashur, sot do ta marrësh atë në gjirin tënd, do ta mëkosh si nëna Shefkije në të gjallë. Siç i thoshte nëna kur ishte e vogël, mbase do t’i përsërisësh edhe ti:

– Oj Tuke, motra jem, të kam shumë çikë të mirë! Kështu i thoshte nëna kur Halimja lodhej.

Ndërsa ne të vdekshmit do të jetojmë me kujtimet e një atdhetareje që ishte e gatshme të jepte gjithçka për ty. Kujtime këto të futura thellë në zemër dhe në ndërgjegjen tonë.