Rastet e dhunës në familje janë vazhdimisht në rritje, pasi që çdo ditë në të gjitha rajonet e Kosovës denoncohen dhjetëra raste të tilla, ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat të cilat përjetojnë dhunë në forma të ndryshme kryesisht nga bashkëshortët, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.

Ndihmën e Policisë e ka kërkuar edhe një grua në fshatin Mazgit të Obiliqit, e cila ka denoncuar babanë e bashkëshortit të saj për dhunë në familje.

Sinjali mëson se 24-vjeçarja ka deklaruar se vjehrri i saj 67-vjeçar ka ushtruar dhunë psikike dhe e ka ofenduar, duke i shkaktuar shqetësim të madh.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me konfliktin me nusen e të birit.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Dhunë në familje’.