Tahir Batatina vazhdon të shprehë optimizëm se skuadra e tij, Llapi, në fund mund ta fitojë titullin e kampionit në Raiffeisen Superligën e Kosovës në Futboll.
Pas xhiros së 11, skuadra e Llapit pozicionohet e katërta me 17 pikë.
“Skuadrat kryesuese janë shumë afër njëra-tjetrës me pikë dhe me fitore po bëhet diferenca. Do të punojmë maksimalisht e gjithë skuadër do të luftojmë për titull të kampionit deri në fund. Në këtë garë do të janë edhe katër skuadra tjera”, ka thënë Tahir Batatina për “Epokën e re”, transmeton Llapi.info.
Trajneri i Llapit i ka kujtuar edhe përqeshjet që i janë bërë atij, pas deklaratave në fillim të kampionatit, se Llapi do të jetë në njërën prej pozitave të para edhe në Superligë.
“Deklaratat e mia para kampionatit janë marrë si qesharake nga shumë të ashtuquajtur analistë të futbollit, gazetarë, trajnerë etj. Ato deklarata i kam dhënë duke u bazuar në punën që kam bërë. Njëjtë kam vepruar edhe kur ishim në Ligën e Parë, kur pata paralajmëruar rikthimin në Superligë. Jam i kënaqur me rezultatet e arritura. Suksesi i Ligës së parë po reflekton edhe në Superligë”, ka shtuar ai.
Fitoren e fundit Llapi e shënoi ndaj Besës me rezultat 1-0. Tri pikë trajneri Batatina i pret edhe nga ndeshja kundër Vushtrrisë.
“Në fundjavën që e lamë pas e kishim ndeshjen ndaj skuadrës mjaft cilësore, ndaj Besës së Pejës. Për ne çdo ndeshje e ka rëndësinë e veçantë, sikurse që e ka edhe ndeshja e radhës kundër Vushtrrisë. Vushtrria ka një skuadër të komponuar mirë dhe kishte një kampionat mjaft të mirë, ani pse ndeshjen e fundit e humbi me rezultat të thellë nga Istogu. Ne do të përgatitemi sa më mirë për t’i marrë edhe në këtë ndeshje tri pikët e plota”, ka deklaruar Batatina.
“Nuk kemi mungesa dhe formacioni që ka luajtur kundër Besës mund të jetë i ndashëm. Zaberxha ka pësuar një lëndim, por nuk është shqetësues”, ka shtuar ai./Llapi.info