Screenshot

I arratisuri i famshëm për disa herë me radhë Isak Sfeçla po kërkohet sërish nga Policia e Kosovës. Nën dyshimet se është përfshirë në një rast të dhunës në familje, 35-vjeçari po kërkohet edhe për sulm ndaj Policisë. Rasti ka ndodhur të premten paradite.

Siç merr vesh Sinjali, Sfeçla po dyshohet se ka sulmuar zyrtarët policorë të cilët intervenuan në një konflikt që kishte ndodhur në familjen e tij.

Në bazë të informacioneve të para, në këtë rast po dyshohet se ka gisht edhe një familjar i tij.

Burimet e Sinjalit thonë se fillimisht Isak Sfeçla ka tentuar t’i godas policët me një shufër metali e më pas bashkë me personin tjetër i kanë sulmuar fizikisht.

Familjari i tij është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ndërsa Isak Sfeçla ka arritur të ikë dhe të qëndrojë në arrati siç ka bërë shpesh.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë, ndërsa hetimet kanë nisur me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

“Raportohet se pas intervenimit të njësisë policore në rast mosmarrëveshje familjare, zyrtarët policorë janë sulmuar nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë.”

Ndryshe, Sinjali edhe më parë ka raportuar për rastet dhe për të kaluarën e Isak Sfeçlës.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.