Screenshot

Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano deklaron se situata e sigurisë në vend është e brishtë dhe se ka shqetësime për tensione të mundshme. Sipas tij, agresioni në Banjskë dëshmoi brishtësinë dhe cenueshmërinë e vendit, për çka shprehet se duhet të ketë edhe vëmendje të veçantë nga institucionet. Misioni i EULEX-it pret nga Serbia që të mbajë përgjegjës ata që kryen agresionin në Banjskë.

Vëmendje të veçantë, shton ai, duhet të ketë Banjska e Zveçanit. Shefi i misionit të EULEX-it, thotë se janë duke bërë patrullime në veri të vendit, gjithashtu se janë të gatshëm të reagojnë me kërkesë të autoriteteve të Kosovës.

“Banjska e ka dëshmuar brishtësinë dhe cenueshmërinë e kësaj zone. Dhe kështu, kjo zonë kërkon vëmendje të veçantë. Ne jemi vigjilentë për të parandaluar çdo kthim, çdo rikthim të mundshëm të dhunës, përmes pranisë sonë, vigjilente dhe të dukshme. Ne po kryejmë patrullime 24/7 në veri me formën tonë në njësinë policore dhe jemi të gatshëm të reagojmë me kërkesë të autoriteteve të Kosovës, përkatësisht të Policisë së Kosovës, si reagues i dytë i sigurisë me forcën tonë të reagimit të shpejtë për të adresuar trazirat e mundshme civile”.

Teksa komenton agresionin serb në Banjskë të Zveçanit, shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano pret që Serbia të mbajë përgjegjës ata që kryen agresionin.

“Ne presim që Serbia të ushtrojë fuqinë e saj për të mbajtur përgjegjës ata që kryen këtë sulm. Ne gjithashtu duhet të kemi parasysh që të rrisim ndërgjegjësimin dhe vigjilencën tonë për të parandaluar që një sulm i tillë të mund të përsëritet. Dhe jo vetëm EULEX-i, por të gjitha institucionet e tjera të sigurisë. Nuk mund të flas se çfarë po bën KFOR-i, për të parandaluar një sulm të tillë, por është e qartë se Kosova ka përforcuar praninë dhe kapacitetet e saj përgjatë kufirit. Por edhe Serbia duhet të bëjë të pamundurën për të parandaluar që një dukuri e tillë të përsëritet”, thekson ai.

Ai nuk komenton deklarimet e institucioneve vendore për baza ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën, veçse shton se kjo i përket KFOR-it.