Kryetari i PDK-së në Podujevë, Isak Shabani, thotë se janë të shqetësuar për gjendjen e rrugës në fshatin Batllavë.

Ai ka publikuar pamje nga kjo rruugë, për të cilën po thotë se janë duke u rrezikuar sidomos kalimtarët e rastit.

Reagimi i plotë:

R E A G I M

Parandaloni tragjedin – reagoni para se të jetë vonë!

Dega e PDK-së në Podujevë shpreh shqetësimin e thellë lidhur me gjendjen e rrugës rreth Liqenit të Batllavës. Kjo rrugë, me pamjen e saj të dëmtuar dhe mungesën e mirëmbajtjes së duhur, paraqet një rrezik të madh për të gjithë përdoruesit e saj.

PDK ndihet e detyruar të ngre zërin për këtë çështje, pasi mos marrja e masave të duhura për rregullimin e saj mund ta shndërrojë atë në një “rrugë të vdekjes”.

Së pari,  theksojmë se gjendja aktuale e rrugës është jashtëzakonisht e rrezikshme. Gropa dhe dëmtimet e tjera në sipërfaqe, mungesa e sinjalizimeve të duhura dhe mungesa e infrastrukturës mbrojtëse përgjatë rrugës e bëjnë atë të papërshtatshme për qarkullim, veçanërisht gjatë natës apo në kushte të këqija atmosferike. Kjo rrit ndjeshëm mundësinë e aksidenteve, të cilat mund të kenë pasoja fatale për drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët.

Së dyti, është e papranueshme që në një kohë kur teknologjia dhe infrastruktura janë avancuar kaq shumë, ne të lejojmë që qytetarët tanë të përballen me rreziqe të tilla. Mungesa e veprimeve për përmirësimin e kësaj rruge reflekton një neglizhencë të theksuar nga ana e autoriteteve përgjegjëse.

Është urgjente që të ndërmerren hapa të menjëhershëm për riparimin dhe përmirësimin e kësaj rruge. Kërkojmë që të hartohet dhe zbatohet një plan konkret për asfaltimin e rrugës, instalimin e sinjalizimeve të nevojshme dhe ndërtimin e strukturave mbrojtëse përgjatë saj. Ky investim nuk është vetëm një domosdoshmëri për sigurinë publike, por edhe një detyrim moral i autoriteteve lokale ndaj qytetarëve të tyre. Siguria e qytetarëve duhet të jetë prioriteti ynë kryesor dhe ne presim veprime konkrete nga ana e Komunës/Qeverisë për të adresuar këtë çështje jetësore.

Në pritje të një reagimi të menjëhershëm dhe masave konkrete.

Dega e PDK-së në Podujevë,

Isak Shabani, Kryetar