Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar indeksin e kostos së ndërtimit për tremujorin e parë të këtij viti. Aty tregohet se kishte rritje të kostos së ndërtimit në muajt e parë të 2024.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka treguar se kostoja e ndërtimit është rritur qysh në fillim të këtij viti.

Sipas ASK-së në tremujorin e parë të 2024 vërehet rritje e çmimit të kostos së ndërtimit krahasuar me kohën e njëjtë të vitit 2023.

“Indeksi i tërësishëm i Kostos të Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati rënie për (-0,3 %) në TM1 2024, krahasuar me TM4 2023. Mirëpo, krahasuar TM1 2024 me të njëjtën periudhë të vitit paraprak (TM1 2023), Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati rritje për 0,7%”.

Tremujori i parë 2024 – Tremujori i katërt 2023 – 0,3%

Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati rënie për (-0,3%) në tremujorin e parë (TM1 2024), krahasuar me tremujorin e katërt (TM4 2023).

Rënie kishte te energjia (-4,0%) dhe te makineritë (-0,8%).

Ndërsa, rritje kishte te transporti (4,5%), pagat (1,7%), materialet (0,5%) dhe kostot e tjera (0,5%).

Tremujori i parë 2024 – Tremujori i parë 2023 – 0,7%

Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati rritje për 0,7% në tremujorin e parë TM1 2024, krahasuar me tremujorin e parë (TM1 2023).

Rritje më të madhe kishte te pagat (9,6%), transporti (3,2%), kostot e tjera (1,8%), materialet (0,5%).

Ndërsa, rënie pati te energjia (-3,3%) dhe makineritë (-1,4%).