Të pranishmit në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për Ditën e Çlirimit e kanë duartrokitur në këmbë fjalimin e Saranda Bogujevcit, deputetes e cila humbi 14 anëtarë të familjes gjatë luftës në Kosovë.

Në një fjalim në Kuvend të mërkurën, Bogujevci tha se para 25 viteve, në Ditën e Çlirimit, ishte pa pjesën më të madhe të familjes së saj dhe “gjysmë e gjallë”.

“Para 25 viteve isha një vajzë e brishtë, gjysmë e gjallë, me zemër të thyer se nuk kisha pjesën më të madhe të familjes. Sot në këtë fjalë në emër të Lëvizjes Vetëvendosje vendosa të ndajë pak histori personale dhe besoj që kjo histori dhe këto kujtime t’i ndajmë me gjithë secilin në këtë ditë”, tha Bogujevci.

Deputetja u shfaq e emocionuar gjatë fjalimit të saj dhe nuk arriti t’i mbante lotët.
Tutje, ajo falënderoi vendet mike që ndihmuan popullin e Kosovës për liri.

“Për ta çliruar këtë vend të dashur, të vogël por me zemër shumë të madhe, sot e përherë përkulemi para dëshmorëve të atdheut tonë që ranë për lirinë tonë. U jemi përjetë mirënjohës popujve miq që na mbështetën”, tha Bogujevci.