Drejtori i USAID-it në Kosovë, James Hope, në një vizitë të bërë dje Komunës së Podujevës, ka shprehur gatishmërinë të ndihmojë Komunën e Podujevës në sferën e zhvillimit ekonomik dhe në përkrahjen e institucioneve të sigurisë. Një gjë të tillë ai e ka bërë të ditur në takimin e djeshëm që ka zhvilluar me kryetarin e Komunës së Podujevës, Agim Veliun.
Në takim, Veliu dhe Hope biseduan për bashkëpunimin e deritashëm në mes Komunës së Podujevës dhe USAID-it, si dhe gjetjes së formave të bashkëpunimit të mëtejmë.
Veliu falënderoi Hope për bashkëpunimin dhe përkrahjen e deritashme të USAID-it për projekte të ndryshme.
“Vlerësojmë shumë përkrahjen e USAID-it në projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor në komunën tonë”, ka thënë Veliu, duke potencuar veçmas përkrahjen e USAID-it në sektorin e bujqësisë.
Ndërsa, drejtori i USAID-it në Kosovë, James Hope shprehu gatishmërinë që USAID të vazhdojë mbështetjen për Komunën e Podujevës në fusha të ndryshme në sferën e zhvillimit ekonomik, që do të gjenerojnë vende të reja të punës, si dhe në përkrahjen e institucioneve të sigurisë./Llapi.info