Me 12 qershor u bënë 25 vite nga çlirimi i Kosovës, e për këtë ka folur ish-i burgosuri dhe ish-luftëtari i UÇK-së, Isak Shabani.

Ai tregon momentin se si e mori vesh që lufta kishte mbaruar dhe Serbia kishte kapitulluar.

“Pas mbijetimit të masakrës së Dubravës neve të burgosurve shqiptarë na kanë sjellë në Burgun e Lipjanit. Me 9 qershor, në orët e vona të natës kanë hyrë gardianët dhe të gjithë të burgosurve na kanë lidh me duar prapa, na kanë lidh me disa litar të cilët përpara janë shfrytëzu tek këmbanjat dmth litarë shumë të fortë dhe na kanë shtrëngu duart aq shumë sa ne nuk e dinim se çfarë po ndodh. Pasi që i kishim mbijetu masakrës së Dubravës me thënë të drejtën mendja na shkoi tek një pushkatim i ardhshëm, mirëpo ajo nuk ndodhi, diku herët në mengjes kanë ardhur dhe na kanë tërheq nga qelitë e burgut në Lipjan dhe të gjithë të burgosurit i kanë vendos nëpër autobusa me qëllim transferimi.

Normal ne si të burgosur nuk e dinim se ku po na transferojnë, ishim të vendosur nëpër autobusa me kokën ulur, duart lidhur, ishte një temperaturë shumë e lartë, djersitje, etje, diçka e papërshkrueshme. Ishim diku afërsisht mbi 700 të burgosur politik dhe jemi nisur për Serbi dhe në momentin që kemi arrit në Nish, kam dëgjuar një gardian duke biseduar me shoferin e autobusit ku i ka thënë se ‘Ushtria po gëzohet se lufta ka përfundu’, i tha në gjuhën serbe dhe unë e kuptova. I them një bashkëvendasit tim, që ishte lidh aty me mu, se ‘lufta ka përfundu’ , tha ai në Blic Interview.