Një ditë pas humbjes 2-1 me Italinë në ndeshjen debutuese të Europianit gjerman, kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë stërvitore në Kaiserau, duke nisur përgatitjet e sfidës me Kroacinë, që luhet më 19 qershor në Hamburg.
Lojtarët që ishin titullarë të shtunën, bënë palestër, kurse pjesa tjetër zhvilloi një seancë në plotë në mesditë, nën reshjet e shiut.
Siç raporton Panorama-Sport, sulmuesi i krahut, Jasir Asani ka marrë një goditje në kavilje dhe ka ndjerë dhimbje gjatë ditës së djeshme. Sot do të konfirmohet shkalla e dëmtimit dhe nëse rrezikon ndeshjen me Kroacinë.
Ndeshja e dytë në grup ka rëndësi shumë të madhe për kuqezinjtë, të cilët shpresojnë të marrin pikë për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit. Nuk do të jetë e lehtë, sepse edhe kroatët e kanë humbur ndeshjen e parë, madje me një rezultat shumë të thellë, 3-0 kundër Spanjës. Ndoshta presioni do të jetë më i madh te Kroacia dhe ky është një faktor që duhet shfrytëzuar nga trajneri Silvinjo dhe stafi i tij. Shqipëria ka në dispozicion edhe dy seanca.
Pritet edhe ndonjë ndryshim në formacionin e Shqipërisë kundër Kroacisë, me Arbër Hoxhën kandidat kryesor për të fituar një vend titullari. Sulmuesi anësor që luan me Dinamon e Zagrebit u aktivizua si zëvendësues ndaj Italisë dhe dha sinjale pozitive. Mbi të gjitha, Hoxha gëzon një formë shumë të mirë fizike dhe mund të jetë në avantazh ndaj Seferit ose Asanit për ndeshjen e dytë në grup. Ai vjen nga një sezon i rregullt me Dinamon e Zagrebit dhe mund t’i shërbejë më shumë Silvinjos ndaj një kundërshtari që Hoxha e njeh shumë mirë. Gjasat janë të mëdha që 25-vjeçari të marrë vendin e Seferit në të majtë të sulmit kuqezi.
Ka edhe një dilemë tjetër sa i takon formacionit të Shqipërisë më 19 qershor. Balliu “kërcënon” Hysajn për të luajtur nga minuta e parë në të djathtë të mbrojtjes. Ndeshjet janë shumë afër dhe ndoshta është mirë që të ketë edhe rotacion. Një lojtar që luan në La Liga meriton të ketë minuta.