Një aksident trafiku ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Keqekollë të Prishtinës.

Një person vdiq dhe 14 të tjerë u lënduan në aksidentin mes autobusit të trafikut urban dhe një veture.

Merret vesh se i vdekur në këtë aksident ka mbetur Bashkim Canolli.

Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua edhe nga familjarët e të ndjerit.

Ai ishte ushtar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksidentin e rëndë.

Në një përgjigje për Insajderi, zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci ka bërë të ditur se në këtë aksident kanë mbetur të lënduar edhe 14 persona të tjerë.

 

“Rreth orës 14:30, është raportuar për një aksident trafiku të ndodhur në fshatin Keqekollë të  Prishtinës. Deri më tani bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë një autobus dhe një veturë. Për pasojë një person ka humbur jetën ndërkaq katërmbëdhjetë të tjerë kanë kërkuar ndihmën mjekësore. Njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti.”, ka thënë Borovci.