Sot do të varroset 26-vjeçari, Auron Thaqi, i cili u therr me thikë mbrëmjen e 6 korrikut, derisa vdiq në QKUK të nesërmen.

Në njoftimin e familjes thuhet se ceremonia e varrimit do të mbahet sot në orën 14:00, në varrezat e qytetit në Prizren.

“Ndërroi jetë më 07.07.2024, në moshën 26-vjeçar. Varrimi do të bëhet ditën e enjte me namaz të drekës me 11.07.2024, në orën 14:00 në varrezat e qytetit në Prizren”, thuhet në njoftim.

Rasti ka ndodhur më 6 korrik rreth orës 23:55 në lagjen Bazhderhane në Prizren, ku 26-vjeçari ishte gjetur i shtrirë në tokë. Ai kishte vdekur një ditë më pas në repartin intensive të QKUK’së.

Bazuar në informatat e para, Policia ka thënë se viktima ishte hedhur në rrugë nga një automjet nga persona të panjohur.

“Me datë 06.07.2024 rreth orës 23:55 është raportuar që në lagjen Bazhderhane në Prizren është një person i shtrire në tokë. Patrolla policore i është përgjigjur rastit ku është kuptuar që viktima ishte therrur me thikë. Është njoftuar urgjenca e qytetit, të njejtin e kanë dërguar në emergjencen e spitalit rajonal të Prizrenit për tretman mjekësor e më pas për shkak të gjendjes së rëndë i lënduari është dërguar në QKUK në Prishtinë. Nga informatat e para dyshohet se viktima është hedhur në rrugë nga një automjet nga persona të panjohur. Sot me datë 07.07.2024 rreth orës 21:00 nga reparti intensiv i QKUK-s policia është njoftuar se viktima A.Th., mashkull, 26 vjeçar ka ndërruar jetë”, ka konfirmuar Policia.

Një i dyshuar me rastin u arrestua po atë ditë, derisa një tjetër është arrestuar para dy ditësh.

“LËNDIM I RËNDË TRUPOR- Prizren 06.07.2024-23:50. Lidhur me rastin, është identifikuar dhe arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar dhe i njejti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.” Sipas Policisë, i arrestuari i dytë dyshohet për “Lëndim të rëndë trupor”, “Mosdhënia e ndihmës” dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.