Tri pika të pompës së benzinës “NIS Petrol” u mbyllën të martën në Veri. Nga Policia thanë që i kanë asistuar Agjencisë Kosovare për Privatizim për të verifikuar disa prona, ndërsa nga APK-ja kanë sqaruar se bëhej fjalë për prona të tyre që ishin lëshuar me qira, por që sipas tyre nuk ishin të pajisura me licencë nga MINT për operim dhe dy prej tyre nuk ishin as të fiskalizuara.

Por, kush qëndron pas këtyre pompave e nga cili vit operojnë në Kosovë?

Të martën janë mbyllur tre p[ika të derivateve të naftës në Zveçan e Mitrovicën Veriore, nën dyshimin se ato i janë shmangur obligimeve ndaj institucioneve të Kosovës. Ishte ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ai i cili tha se shkelësit e ligjeve dhe rregullave të shtetit si rasti i “Nis Petrol”, damar i Gazpromit rus, s’ka vend në Kosovë.

Por kush janë pronarët e tri pompave që u mbyllën në veri?

Nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në Ministrinë e Tregtisë kanë konfirmuar për Express se janë mbyllur 3 pika shitëse me pakicë të derivateve të Naftës në pronësi të tre biznesmenëve nga veriu i Kosovës: Sllavoljub Vukoviq, pronar i kompanisë MCG-GR, Ratko Pavloviq, pronar i kompanisë SEKOS, dhe Milan Bozhoviq, pronar i kompanisë Min Prom.

Në ARBK, figuron se kompania P.P. “MCG-GR”, bazën e ka në Mitrovicën Veriore. Pronar i saj është Slavoljub Vukovic B.I., teksa biznesi figuron individual. Kompania është regjistruar më 4 korrik të vitit 2014 dhe sipas ARBK-së ka dy baza në Zveqan dhe në Ujman. Tek aktiviteti primar kompania ka të përshkruara se kjo kompani ofron shërbime të specializuara të ndërtimit, prodhimit të materialeve të ndërtimtarisë e deri tek shitja e mishit dhe produkteve ushqimore. Poashtu kompania ka përshkruar se merret edhe me prodhimin e metaleve të çmuara.

Kompania SEKOS, me pronar Ratko Pavlovic B.I. është i regjistruar si biznes individual në Zveqan. Edhe kjo kompani sipas ARBK-së dy baza në Zveqan dhe në Mitrovicën e veriut. Aktivitet primar kompania ka tregtinë me shumicë të lëndëve djegëse të ngurta, të lëngëta ose të gazta dhe produkteve që lidhen me to. Data e regjistrimit të kësaj kompanie në ARBK, figuron me 5 shkurt të vitit 2004.

E biznesi i tretë që është mbyllur është ai “Min Prom”, me pronarë Miljan Božovic B.I.. Edhe ky biznes në ARBK figuron si biznes individual i hapur më 2 dhjetor të vitit 2003. Biznesi është i regjistruar në komunën e Zubin Potokut. Edhe kjo kompani aktivet parësor e ka tregtinë me shumicë të lëndëve djegëse të ngurta, të lëngëta ose të gazta dhe produkteve që lidhen me to.

Në mbylljen e këtyre pompave kishte asistuar edhe Policia e Kosovës. Zëvendësdrejtori i Policisë në Veri, Veton Elshani, i tha të martën Gazetës Express se një pompë e benzinës është mbyllur në Mitrovicë të Veriut, një në Zubin Potok dhe një në Ujman.

“Policia e Kosovës ka asistu AKP në verifikim të pronave të tyre. Një pompë e benzinës në Mitrovica Veri, një në Zubin Potok dhe një në Ujman janë mbyll. AKP ka qenë në prezencë të Inspektorëve të MTI dhe ATK”, tha ai për Express, duke shtuar se gjithçka ka shkuar në rregull.

Disa media raportuan se këto pompa ishin në pronësi të kryeterroristit, Milan Radojçiq. Këtë e konfirmoi edhe zëdhënësi i VV’së, Arlind Manxhuka. Ai shpërndau një lajm me titullin “I konfiskohet pompa e benzinës Milan Radojçiqit”.

Ndërkaq, nga Agjencia e Kosovës për Privatizim kanë thënë se kanë pranuar informacione se qiramarrësit e pikave të karburantit nën administrimin e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok janë duke operuar pa licencim.

Përmes një komunikate për media, AKP ka thënë se bashkë me ATK’në dhe Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut kanë dalë në terren dhe është vërtetuar se tri pika të karburanteve nuk janë të pajisura me licencë nga MINT dhe dy prej tyre nuk janë as të fiskalizuara.

“Sot, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës dhe me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut kemi dalë në terren, ku pas vizitave dhe inspektimeve, është vërtetuar se tri pika të karburanteve nuk janë të pajisura me licencë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe dy prej tyre nuk janë as të fiskalizuara. Kjo përbën shkelje të kontratave të qirasë me AKP-në dhe Ligjit nr. 08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme, duke cenuar kështu sigurinë e konsumatorëve dhe të mjedisit.”

Kështu, Inspektorati i MINT ua ka ndërprerë veprimtarinë këtyre bizneseve dhe AKP ka thënë se do të ndërpresë kontratat e qirasë.

Për këto pompa të benzinës ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai ka thënë se pompat e mbyllura “Nis Petrol” janë damar i Gazpromit rus dhe se nuk ka vend në Kosovë. Ai shtoi se keqpërdoruesit do të ballafaqohen me ligjin.

Ai ka thënë se “krimi në veri të vendit ka qenë i thellë, i organizuar dhe i papenguar sheshazi gjithë këto vite”.

“Në kontrast me përvojën e hidhur për më shumë se dy dekada kemi dëshmuar se sundimi i rendit dhe ligjit është i mundshëm kudo nëpër Republikën tonë. Policia e Kosovës sot ka asistuar AKP-në në lirimin e hapësirave të saj në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, pas konfirmimit se ato po keqpërdoreshin nga pompat e derivateve të cilat i janë shmangur obligimeve ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës. Epoka e përfitimeve dhe pasurimeve në kurriz të shtetit dhe qytetarëve po perëndon. Për shtetin dhe qytetarët pa dallim do të bëjmë gjithçka, për keqpërdoruesit ballafaqim me ligjin. Shkelësit e ligjeve dhe rregullave tona si ‘’Nis Petrol’’, damar i Gazpromit rus, nuk ka vend në Republikën e Kosovës.”, tha Sveçla.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar se këto pika karburanti e kanë logon e kompanisë Industria e Naftës e Serbisë (NIS) dhe se sipas informatave të tyre ato prej disa vitesh janë në pronësi të biznesmenëve nga veriu i Kosovës.

Pronarja kryesore e kompanisë NIS është Gazprom Neft, më pas një përqindje e kanë kompania e saj ombrellë, Gazprom dhe shteti i Serbisë. Gazprom Neft është prodhuesi i tretë më i madh i naftës në Rusi.

Marko Gjuriq, sa ka qenë në pozitën e Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, pati marrë pjesë në hapjen e njërës prej pikave të pompave të NIS-it në veri.