Edhe një pompë e derivateve “NIS petrol”, cila gjendet në Mitrovicë të Veriut, është mbyllur sot.
Përveç saj, para disa ditësh janë mbyllur edhe tri pika të tjera të kësaj kompanie.
Lajmin e ka konfirmuar Veton Elshani nga Policia Rajonale në Veri.
“Po është mbyllur edhe një pikë e pompës së derivateve e kompanisë “Nis Petrol”. Nuk ka pas ndonjë incident gjatë këtij aksioni, ku policia ka qenë asistuese e AKP-së”, ka thënë Elshani.
Industria e Naftës e Serbisë (NIS) rifilloi zyrtarisht punën e saj në komunat në veri, ku jeton shumica e popullsisë serbe, në dhjetor të vitit 2016, por menjëherë pas kësaj u shfaq në opinion se ato pompa janë në pronësi të biznesmenëve nga veriu i Kosovës.
Më 16 korrik 2024, Inspektorati i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës mbylli një pompë në Mitrovicën e Veriut dhe dy në Zubin Potok, pasi nuk kishin licencë për punë. Të gjitha pompat e mbyllura kishin logon NIS.
Ato pompa të benzinës, kryesisht si trashëgimi e Jugopetrolit, janë nën kontrollin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.