Faton Hajrizi do të varroset në orën 14:00 në fshatin e tij të lindjes në Klinë të Ulët në Skënderaj.

Para kohës së varrimit, shumë njerëz janë mbledhur atje për funeralin e 39 vjeçarit që u vra nga autoritetet e Serbisë më 19 korrik. Një ditë më herët, sipas autoriteteve serbe, ai e kishte vrarë një polic serb dhe e kishte plagosur një tjetër në qytetin e Lloznicës.

Disa me mbishkrime në bluza si “Liria ka Emër”, e dikush me flamurin kombëtar, shkuan në këtë fshat për t’ia dhënë lamtumirën e fundit atij, pavarësisht se kryeministri Albin Kurti kishte kërkuar që ai të mos madhërohet dhe që qytetarët “të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit”.

Ai ishte i dënuar të paktën tri herë nga dy gjykata të ndryshme për vepra që lidhen me vrasje, tentim-vrasje, vjedhje e plaçkitje. Faton Hajrizi njihet më së shumti për vrasjen e një ushtari rus të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, më 29 shkurt të vitit 2000, kur ai ishte 15-vjeçar.

Më 6 korrik ai ishte arratisur nga burgu i “tipit të hapur” në Smrekonicë të Vushtrrisë, ku po qëndronte muajt e fundit. Vendndodhja e tij nuk dihej për rreth dy javë, deri kur u raportua për vrasjen e policit në Lloznicë të Serbisë.

Pas tri javësh, autoritetet serbe lejuan tërheqjen e trupit të pajetë të Faton Hajrizit.

Nëna e tij të shtunën konfirmoi identitetin e të birit, ndërsa Instituti i Mjekësisë Ligjore e kreu autopsinë.