Ish-gjenerali i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, tha se janë pjekur kushtet për hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë.

“Besoj dhe shpresoj se Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri kanë marrë raportet e duhura nga Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Forcat e Armatosura të Kosovës, mbi vlerësimin e rrezikshmërisë për hapjen e urës së Ibrit. Sipas analizave të mëparshme, ura e Ibrit duhet të hapet menjëherë, sepse kushtet janë të pjekura që kjo urë të mos jetë më ndarëse, por të bashkojë qytetin e Mitrovicës në jug dhe veri, si dhe të lidhë dy komunitetet, shqiptarët dhe serbët,” tha ai sot në emisionin “Info Plus” në RTK.

Kastrati beson se aleati kryesor i Kosovës, ShBA, nuk është kundër hapjes së urës së Ibrit, duke theksuar se ShBA nuk ka qenë kurrë kundër hapjes së urave.

Për ata që kundërshtojnë hapjen e urës, Kastrati theksoi se kanë motive të caktuara dhe synojnë të ruajnë status quon në vend.

Ai gjithashtu e cilësoi të padrejtë vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian.