Nën “pushtetin” e masave shumë të nxehta ajrore me origjinë nga Afrika veriore sot po mbanë shumë jashtëzakonisht i nxehtë dhe këtë mund ta ndjejmë sapo ta hapim një dritare, ndërsa disa zhvillime të izoluara konvektive kanë filluar në disa pjesë të Repubikës së Kosovës dhe atë kryesisht në disa zona kodrinore-malore.

Një celulë rrebeshesh shiu ishte më herët në veriperëndim të vendit e cila u zhvendos apo i rigjenerua në veri dhe verilindje ku pati rrebeshe të izoluara me vetëtima dhe bubullimë, por shumica absolute e territorit mbeten pa reshje dhe ashtu do të ndodhë edhe orëve të ardhshme, por me mundësi për zhvillimin e ndonjë stuhie të fuqishme të izoluara në disa rajone të Republikës së Kosovës.

Temperaturat e larta vazhdojnë, kurse zhvillimet e izoluara rrisin ndjenjën e zagushisë, prandaj freski do të ketë vetëm në ato zona ku do të kenë fat të kenë ndonjë rrebesh me erëra.

Mot shumë i nxehtë dhe me zagushi të theksuar do të vazhdojë edhe dy ditët e ardhshme. Nuk do të mungojnë rrebeshet e izoluara me vetëtima dhe bubullimë. Të dielën zhvillimet e rrebesheve do të jenë më të përhapura duke përfshirë të gjitha viset tona, por prapë reshjet nuk do të jenë gjithëpërfshirëse ngase kemi të bëjmë me reshje tipike verore të cilat karakterizohen me reshje të fuqishme në një rajon të caktuar dhe pa reshje në rajoni tjetër jo aq larg.

Në këto çaste në Mesdheun perëndimor kemi një masë ajrore mjaft jo-stabile e cila po shkakton stuhi të fuqishme në ato rajone bregdetare duke përfshirë edhe Majorkën e Spanjës. Kjo masë ajrore do të vjen te ne duke destabilizuar motin fillimisht në Itali e pastaj të hënën edhe në Shqipëri me rrebeshe intensive shiu vetëtima dhe bubullimë. Temperaturat do të shënojnë ulje, por jo të theksuara. Rrebeshe intensive të hënën priten edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Shtrëngata shiu priten edhe në viset bregdetare të Shqipërisë dhe Malit të Zi./MeteoBallkan