Zyrtari policer i dyshuar për vrasjen e 89-vjeçarit në Ferizaj dhe i arrestuari tjetër që dyshohet se e ndihmoi, janë mbrojtur në heshtje para hetuesve të Inspektoratit Policor dhe Prokurorisë, siç raporton Kallxo.com.

Sipas raportimit i arrestuari është i afërm i policit, derisa thuhet se janë shikuar kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në perimetrin ku ka ndodhur vrasja dhe është identifikuar se përvec zyrtarit policor që dyshohet se me armë zyrtare gjuajti në drejtim të S.Sadriut, edhe një person tjetër me një veturë tjetër ishte në vendin e ngjarjes.

Polici sipas raporitmit kishte me vete armën e gjatë me të cilën janë pajisur muajt e fundit policët e Kosovës. Ndonëse vrasjen dyshohet se e kreu në cilësi të personit civil pra me rroba e veturë civile por që përdori armën zyrtare të punës.

Viktima është Sadri Sadriu, që sipas raportimeve në media është axha i Prindon Sadriut, bashkëshortit të Presidentes Vjosa Osmani.

I dyshuar për vrasjen është polici Festim Ramadani. Vrasjen dyshohet se e ka kryer me armën zyrtare.

I njëjti është arrestuar dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh.

Lidhur me rastin detaje ka dhënë Inspektorati Policor i Kosovës. Bazuar në informacionet fillestare, IPK thotë se dyshimet janë se zyrtari policor i dyshuar në këtë rast kishte shkuar në këtë lokacion dhe kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, i cili si pasojë e lëndimeve të pësuara ka ndërruar jetë .

“I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) pas kryerjes së veprës penale është vetdorëzuar në Stacionin Policor të Ferizajt ku edhe ka dorëzuar armën zyrtare e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast. I dyshuari është arrestuar (dhe suspenduar) dhe me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e IPK’së.

Majori Qazim Reka ka bërë me dije se polici nuk ka qenë pjesë e ahengut familjar, duke shtuar se motivet ende nuk dihen.

“Polici nuk ka qenë në detyrë zyrtarë, jashtë detyrës zyrtare, ka qenë me rroba civile dhe me veturë civile ka kryer veprën në vendin e ngjarjes këtu para këtij lokali. Vrasja është kryer me armë zyrtare. Zyrtari policor është F.R dhe viktima është S.S….Motivet nuk dihen ende. Nuk ka qenë pjesë e ahengut familjar”, tha Reka.

Për rastin janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore e Ferizajt. Në njoftimin e prokurorisë thuhet se i dyshuari në këtë rast sipas informatave të para dyshohet se është zyrtar policor dhe i njëjti me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë”.

“Hetuesit Rajonal të Policisë së Kosovës në Ferizaj në koordinim me Kryeprokurorin e Prokurorië Themelore në Ferizaj z.Shukri Jashari dhe prokurorin kujdestar kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e viktimës. Për informata tjera rreth rastit, Prokuroria Themelore në Ferizaj do të iu njoftoj me kohë”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin, IPK ka njoftuar më vonë se është arrestuar edhe një i dyshuar.

“Lidhur me rastin e vrasjes në Ferizaj i cili është raportuar sot në orët e mbrëmjes është arrestuar edhe një i dyshuar. Të dyshuarit të arrestuar me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të për bashkëkryerje të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.