Avokati britanik, Ben Emmerson, nuk do ta përfaqësojë më në Hagë ish kreun e Parlamentit, Kadri Veselin.

Kjo u konfirmua në një njoftim që vet Dhomat e Specializuara që e kanë lëshuar të mërkurën.

“Më 21 gusht 2024, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët miratoi përfundimin e përfaqësimit ligjor të Kadri Veselit nga mbrojtësi Ben Emerson. Veseli dhe Emersoni u pajtuan me këtë vendim, duke bërë që Trupi Gjykues të aprovojë përfundimin e përfaqësimit ligjor për arsye të vlefshme. Gjithashtu, Trupi Gjykues u bind se do të sigurohet vazhdimësia e përfaqësimit të Veselit dhe se ndryshimi i kryembrojtësit nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor”, thuhet në njoftim.

Vendimi thuhet se do të hyjë në fuqi pasi të caktohet kryembrojtësi i ri dhe administratorja e Dhomave të Specializuara të Kosovës ftohet të marrë të gjitha masat e nevojshme sa më shpejt që të jetë e realizueshme. Dyshohet se largimi ka të bëjë me të çështje financiare.

Emmerson e kishte përfaqësuar Veselin që nga dorëzimi i tij në Speciale në nëntor të vitit 2020.

Paraprakisht, për arsye të njëjta nga ekipi i Thaçit ishte larguar kryeavokati, Gregory Keohe.