Gjermania nisi të hënën kontrolle të rastësishme në kufijtë e saj me pesë vende të Evropës Perëndimore, në përpjekje për të luftuar emigrimin e parregullt.

Kontrollet policore filluan në orët e mëngjesit në kufijtë me Francën, Holandën, Belgjikën, Luksemburgun dhe Danimarkën dhe do të vazhdojnë për gjashtë muaj.

Nga viti i kaluar, Gjermania zbaton kontrolle të tilla edhe në kufijtë me Poloninë, Republikën Çeke, Austrinë dhe Zvicrën.

Gjermania, anëtare e Bashkimit Evropian, njoftoi qysh javën e kaluar se do t’i zgjerojë kontrollet kufitare në të nëntë kufijtë e saj tokësorë, si masë për të goditur migracionin e parregullt dhe krimin, pas sulmeve të fundit ekstremiste.

Muajin e kaluar, nga një sulm me thikë në qytetin Solingen u vranë tre persona.

Sulmuesi i dyshuar, një azilkërkues sirian, tha se është frymëzuar nga grupi militant Shteti Islamik.