Kryeministri Albin Kurti, thotë se artisti kosovar i përmasave botërore Petrit Halilaj ka arritur të sjellë një pjesë të historisë së vendit para artdashësve në muzeun prestigjioz The Metropolitan Museum of Art (MET), aty ku prezantohet arti mbi 5 mijë vjeçar i vjetër nga të gjitha anët e botës.

Shefi i qeverisë theksoi se Halilaj është shqiptari i parë që hap ekspozitë në MET, ndërsa tutje u shpreh se vepra e tij dhe audienca e saj tejkalon kufijtë, duke e bërë kështu atë të jetë ambasador kulturor i historisë dhe vendit të Kosovës.

“Ekspozita e titulluar “Abetare” sjell rrëfimin individual e kuptimplotë të Petritit. Historia e viteve të ‘90-ta prezantohet përmes skulpturave metalike të cilat sjellin kujtesën kolektive dhe fuqinë imaginative të brezave të nxënësve, jetët e të cilëve u shënuan nga ngjarje traumatike gjatë luftërave në Ballkan”, shroi 49-vjeçari në Facebook.

“Krahas ekspozitës në MET, Petriti hapi edhe një ekspozitë tjetër në Galerinë Kurimanzutto New York, që është vazhdimësi e asaj të parës. Ekspozita “Abetare – klasa e zhurmshme” e ka shndërruar galerinë në klasë. Në vend të pikturave, muret akomodojnë instalacionin artistik të bankave shkollore me ngjyra të ndryshme e me shkrime të nxënësve, të shoqëruar me skulpturat që reflektojnë gjuhën, rininë dhe komunitetin në kontekst të historisë së vendit tonë”, shtoi ai.

Kurti tutje tha se kjo vepër vjen edhe si homazh ndaj rolit të intelektualëve dhe artistëve shqiptarë të diasporës në themelimin, praktikën dhe rezistencën e gjuhës shqipe gjatë historisë.

“E pikërisht aty u takuam bashkë me artistë e profesionistë të rinj të diasporës, për të diskutuar rolin po aq të rëndësishëm të diasporës në ditët tona”, shtoi ai.