Fronti i ftohtë ajror solli ulje të ndjeshme të temperaturave dhe vende-vende pati rrebeshe shiu dhe shkarkesa atmosferike.
Pas frontit të ftohtë moti i stabilizua gradualisht dhe tani kemi depërtimin e ajrit mjaft të freskët, por gjendja do të ndryshojë shumë shpejtë, ngase në Mesdhe do të kemi krijimin e një cikloni të ri mjaft të fuqishëm dhe përkohësisht do të kushtëzojë rritje të ndjeshme të temperaturave. Masa më të ngrohta ajrore nga Mesdheu do të vijnë përsëri në viset tona nga dita e Martë. Mëngjesi i së martës pritet të jetë mjaft i ftohtë dhe mund të ketë edhe brymë sipërfaqësore sidomos në disa zona të Republikës së Kosovës dhe normalisht në viset malore të tërë rajonit.
Tri ditët e para të javës nën ndikimin e masës ajrore anticiklonike parashihen kryesisht të kthjellta dhe me shumë rreze diellore, ndërsa temperaturat rriten nga e Marta.
Cikloni Mesdhetar
Në mesjavë do të kemi fuqizimin e ciklonit më të ri mesdhetar i cili do ti afrohet Ballkanit, gjegjësisht viseve tona. Të Enjten parashihet të fillojnë reshje dhe rrebeshe të herëpashershme në Shqipëri dhe rrallë në disa zona të Kosovës, ndërsa me afrimin e fundjavës reshjet e shiut intensifikohen dhe përfshijnë shumë vise në Shqipëri, Mal tëe Zi, Kosovë, Maqedoninë Veriore dhe Luginën e Preshevës.
Pra, deri të enjten pa reshje atmosferike. Të enjten reshje të cilat fillojnë në Shqipëri dhe pastaj zgjerohen gradualisht në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore.
Nganjëherë lokalisht priten reshje të dendura shiu dhe rrebeshe intensive me vetëtima dhe bubullimë sidomos në Shqipëri duke mos përjashtuar në disa raste edhe Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Në fundjavë ulje të temperaturave ndërsa vazhdon ndikimi ciklonik, me reshje të herëpashershme lokale shiu në të gjitha rajonin. Mes reshjeve do të ketë edhe intervale kohore me diell dhe periudha kohore pa reshje. Ulja e temperaturave nuk do të jetë shumë e theksuar, por mund të kemi ditë tipike vjeshtore.
Ishte ky parashikimi i motit për javën e parë të Tetorit. Ndryshimet e vogla në parashikim do të ndodhin dhe për çdo ndryshim eventual do të njoftoheni në postimet tona të përditshme./MeteoBallkan