Një kopsht fëmijësh në veri të Zyrihut, pranë sheshit Bernina, është sulmuar këtë të martë nga një burrë me thikë në dorë.

Siç raportojnë mediat zviceriane nga sulmi kanë mbetur të lënduar tre fëmijë. Mes të plagosurve ishte një djalë 5-vjeçar i cili ka marrë plagë të rënda. Dy djem të tjerë, gjithashtu 5 vjeç, kanë mbetur të plagosur lehtë dhe po trajtohen me ndihmë mjekësore në spital.

Imazhet e postuara në rrjetet sociale tregojnë një qendër tregtare të rrethuar dhe dritare të mbuluara me batanije termike për mbijetesë. Prindërit po marrin mbështetje psikologjike dhe policia ka ngritur një qendër operacionale të lëvizshme.

Sulmi ka ndodhur në mesditë, ndërsa policia nisi një operacioni madhor që çoi në arrestimin e autorit. Mësohet se i arrestuari është një 23-vjeçar kinez, por motivet e sulmit nuk janë ende të qarta, shkruan A2.

Një dëshmitar okulare i incidentit, duke folur për Züri Today, tha se një nga kolegët e saj e hodhi në tokë me forcë agresorin duke e ndalur që të goditste me thikë fëmijë të tjerë dhe e shtyu atë në tokë, përcjell A2.

Një tjetër person tha për 20 Minutes se po dilte nga supermarketi kur pa një grua.

“Ajo dukej e dëshpëruar dhe po i pyeste kalimtarët diçka, por nuk e di saktësisht se çfarë. Më vonë pashë disa automjete policie dhe një ambulancë. Kanë çuar një person në ambulancë, por nuk e di nëse ishte fëmijë apo i rritur”, dëshmoi ai.

“Kishte të paktën gjashtë deri në shtatë makina policie në vendngjarje, si dhe disa ambulanca. Gjithçka ishte e rrethuar në një zonë të madhe. Dëgjova fëmijët duke bërtitur, pastaj erdhën shumë oficerë policie”, tha një tjetër dëshmitar menjëherë pas sulmit.