Qytetarët e komunitetit serb në veri të Kosovës janë duke marrë ditëve të fundit paralajmërime për ndërprerje të energjisë elektrike, për shkak të borxheve të papaguara.

Paralajmërimet, që i pa Radio Evropa e Lirë, jepen nga kompania serbe, Elektrosever, e krijuar në bazë të Marrëveshjes për Energjinë, e cila është arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Afati për shlyerjen e borxheve për rrymën e konsumuar është 15 ditë.

Paralajmërimi që marrin qytetarët që nuk e paguajnë rrymën.
Paralajmërimi që marrin qytetarët që nuk e paguajnë rrymën.
Zyra e Rregullatorit për Energji, e cila monitoron punën e kompanisë Elektrosever, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se një numër i madh i qytetarëve të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut nuk i paguajnë faturat e energjisë elektrike.

“Energjia elektrike llogaritet nga subjekti i autorizuar [Elektrosever], faturat shpërndahen, por niveli i pagesës së faturave nga qytetarët është ende i ulët”, thonë nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Megjithatë, në përgjigjen e tyre nuk specifikohet saktësisht se sa qytetarë nuk i paguajnë faturat në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Në bazë të raportit që kemi marrë së voni nga Elektroseveri, llogaritet se në veri janë rreth 23 mijë konsumatorë. Sipas legjislacionit aktual dhe licencave të lëshuara, është përgjegjësi e Elektroseverit që t’i marrë të gjitha masat për pagesën e energjisë elektrike”, thuhet në përgjigje.

Kompania Elektrosever mori licencën për të punuar në Kosovë në qershor të vitit 2023. Ndërsa, në fillim të këtij viti nisi dërgimin e faturave të para te konsumatorët.

Ata nuk e paguan rrymën e shpenzuar që nga paslufta në Kosovë, më 1999.

Si funksionon kompania Elektrosever?

Elektrosever është një kompani në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS, e cila është e regjistruar në Kosovë sipas ligjeve të Kosovës.

Ajo buron nga Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për Energjinë, e arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në faqen e internetit të kompanisë Elektrosever thuhet se, në bazë të licencës së marrë në Kosovë, ajo ka të drejtë të blejë dhe të shesë rrymë në tregun e energjisë elektrike, t’i rishesë kapacitetet e tepërta me çmime të dakorduara, si dhe të importojë dhe eksportojë energji elektrike.

Pse qytetarët nuk e paguajnë energjinë elektrike?

Predragu nga Mitrovica e Veriut nuk i paguan faturat e rrymës, sepse beson se njehsori i tij është i vjetër dhe se faturat për shpenzimet e tij janë joreale.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se faturat i merr rregullisht, por se e ka paguar vetëm të parën, të cilën e ka marrë në shkurt të këtij viti. Të tjerat thotë se nuk do t’i paguajë, sepse janë “anormale”.

“Njehsori është i vjetër, i paraluftës… Askush nuk ka ardhur ta shikojë. Vijnë disa fatura anormale, nga 90 deri në 200 apo 250 euro”, thotë Predragu.

Ai shton se pret që në periudhën e ardhshme ta ndërrojë njehsorin, që do ta lexonte bilancin e ri dhe në bazë të të cilit do t’i paguante faturat.

Në fund të prillit, Elektroseveri nisi ndërrimin e njehsorëve të vjetër dhe vendosjen e të rinjve në objektet e reja që nuk kishin, por ky proces është ende në zhvillim e sipër.