Kryetari i AAK-së e ka quajtur “mashtrim” vendimin e sotëm të Qeverisë për rritjen e pensioneve për 20%.

Ramush Haradinaj shkruan në Facebook se vendimi i sotëm ka mesazhin e “mashtrimit në shkëmbim të votës”.

“Rritja e pensioneve sot nga Qeveria në ikje është mashtrim. Ky mashtrim shpërfaq fytyrën e këtyre njerëzve që shkon përtej humanizmit sepse ka në vete mesazhin e mashtrimit në shkëmbim të votës për njërën ndër kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, pensionistët”, shkroi ai.

“Përveç që është mashtuese, kjo rritje është gjysmake dhe duke marrë parasysh bazën e ulët të pensioneve, as nuk ndikon në mirëqenien e pensionistëve por edhe lë jashtë kategori tjera sociale”, shtoi Haradinaj.

Ai tha se me AAK-në në Qeveri, në ditët e para, të gjitha pensionet do të rriten menjëherë për 50%, e më pas çdo vit nga 10%.

“Në qeverinë e ardhshme që ne synojmë ta ndërtojmë, qysh në ditët e para të qeverisjes të gjitha pensionet dhe skemat pensionale do të kenë rritje të menjëhershme prej 50% dhe pastaj çdo vit rritje prej 10%. Të gjitha skemat pensionale do të jenë më shumë se paga minimale prej €500”, shkroi Haradinaj.