Hyrja e mallrave nga Serbia në Kosovë pritet të nisë nga ora 12:00.
Tëvë 1 ka mësuar nga burime se deri tash asnjë kamionë me mallra nga Serbia nuk ka hyrë në Kosovë, pasi një gjë e tillë do të ndodhë pas mesditës.
Kamionët me mallra serbe pas kalimit në pikën kufitare në Merdar do t’i nënshtrohen kontrollit në Doganën e Kosovës.
Ndryshe Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndryshim të masës së sigurisë për mallrat serbe, pasi kishte ndaluar hyrjen e tyre si masë sigurie pas sulmit terrorist të vitit të kaluar në Banjskë.
Sipas vendimit të ri, mallrat serbe do të lejohen të hyjnë në Kosovë vetëm përmes Merdares dhe do t’i nënshtrohet kontrollit të shtuar dhe detajuar.
Gjermania kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës heqjen e bllokadës për mallrat serbe, për të “zhbllokuar CEFTA-n”.
Kosova ishte paralajmëruar se mund të përjashtohej nga Procesi i Berlinit nëse nuk heq këtë bllokadë.
Vendimi i Qeverisë për ndryshim të masës është përshëndetur nga Gjermania dhe Britania e Madhe.