Sipas të dhënave të përditësuara disa minuta më parë nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, nuk ka fare fluks në pikë kalimet kufitare me Serbinë, sa i përket kategorisë së kamionëve.

Sot hyri në fuqi vendimi për heqjen e ndalesës së importimit të mallrave të prodhuara në Serbi, dhe i menjëhershëm ka qenë fillimi i transportimit të tyre.

Megjithatë, fluksi i hyrjeve të kamionëve nuk ka qenë i madh.

Momentalisht, ka zero metra kolonë në Merdarë, teksa pritja, si për vetura, ashtu edhe për kamionë, është 3 deri në 5 minuta.

Ndërkohë, edhe zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci konfirmoi se maunet me mallra që kanë origjinë nga Serbia kanë qarkulluar pa ndonjë problem, por numri i tyre gjatë ditës së sotme ka qenë i vogël.

Vet ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha sot gjatë ditës se, bazuar në vlerësimin e situatës së sigurisë nga ana e MPB-së, në pikëkalimin kufitar në Merdarë, për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohet nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë.

Andaj, me efekt të menjëhershëm, pika kufitare në Merdarë do të jetë e hapur për të gjitha mallrat, të cilat do t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X. Pikat tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksional në ato pika kufitare.