Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit L.D, për shkak të kryerjes së veprave penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402 par. 4 lidhur me par 2 dhe nenin 31 tË KPRK-së, si edhe për veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepre penale dhe huliganizëm” nga neni 404 par 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës i pandehuri më 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në koordinim me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Prokurori i Shtetit nga Prokuroria Speciale ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të këtij rasti penal.