Një person ka vdekur dhe dy janë lënduar si pasojë e një aksidenti në rrugën e Kamenicës mëngjesin e së hënës.

Lajmin për Gazetën Insajderi e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani. Ai ka bërë të ditur se përkundër ndihmës së ofruar në emergjencë, viktima e moshës 33-vjeçare vdiq si pasojë e plagëve të marra.

“Ju njoftojmë se sot më 21.10.2024 rreth ores 06:40 është raportuar për një aksident trafiku me lëndime në rrugën e Kamenicë afër pompës së karburanteve ” Hib Petrollit”. Njesia e Trafikut Rajonal dhe Ndihma e parë menjëherë kanë dalë në vend të ngjarjes. Edhe për kundër ndihmës së ofruar nga ekipi i Qendres Emergjente jemi njoftuar se rreth orës 07:38 vozitësi i veturës i moshës rreth 33 vjeçar ka ndërruar jetë”, ka bërë të ditur Hashani.

I njëjti ka bërë të ditur se në aksident kanë qenë të përfshirë një kamionetë, ku drejtuesi i saj dhe një pasagjer janë jashtë rrezikut për jetë.

Hashani po ashtu ka njoftuar edhe për shkaqet e aksidentit të rëndë që përfundoi me humbjen e jetës së 33-vjeçarit. Nga hetimet e para, dyshohet se drejtuesi i veturës si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë humb kontrollin, ku godet anësoret dhe kamionetën.

“Nga hetimet e para dyshohet se deri te ky aksident i rëndë të ketë ardhë për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë dhe mos respektimit të shenjave të trafikut, ku drejtuesi i veturës e humbë kontrollin mbi mjetin duke godit fillimisht anësoret e rrugës dhe më pas përplaset direkt me kamionetën që i vinte për ballë“, shtoi tutje zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit.